Ditën e dielë, Top Channel akuzoi Ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshi se urdhëroi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit futjen pa u regjistruar në doganë të një kimikati që përdoret kundër insekteve të qershive. Bëhet fjalë për "Silicon Mix", një kimikat që sipas urdhërit të Peleshit nuk është pesticid, por pleh.
AKU e kishte bllokuar kimikatin, por me urdhërin e Peleshit, situata kishte ndryshuar. Në reagimin e Ministrit të Bujqësisë, citohet ligji ku bazohet kërkesa e Peleshit për AKU: "Plehrat EC FERTILIZER, si preparati për të cilin ben fjalë lajmi, sipas legjislacionit në fuqi, Ligji 10 390 datë 3.3.2011, neni 4 pika 2, germa a, lejohen të qarkullojnë lirshëm në treg, pra pa qënë të detyruar të regjistrohen"

Sipas Peleshit "nuk bëhet fjalë për lëndë me përmbajtje pesticidi, referuar kjo edhe listës së BE për lëndet vepruese në përmbajtje të pesticideve". Në kronikën e Top Channel, me anë të kamerës së fshehtë transmetohej një filmim nga farmacia bujqësore që e shiste kimikatin për pesticid, ndërsa një eksperte e laboratorit që varej direkt nga ministria konfirmonte se bëhej fjalë për një pesticid.

Përgënjeshtrimin për Top Channel, Peleshi e shoqëron edhe me një këshillë, që gazetarët të pyesin më parë në Ministrinë e Bujqësisë "për këto lloj lajmesh":
"Duke vlerësuar punën që bën media për të rritur ndërgjegjësimin e konsumatorit për cështje që lidhen me sigurinë ushqimore, pa vënë në dyshim qëllimin e mirë të cdo lajmi, do të ishte në të mirë të misionit, etikës profesionale dhe transparencës, që të paktën për këto lloj lajmesh që janë të karakterit teknik, të merret edhe qëndrimi i institucionit përkatës. MBZHR është e hapur për cdo sqarim dhe informacion" thuhet në deklaratën e Ministrisë së Bujqësisë.
Më poshtë kronika e Top Channel që akuzon Peleshin për futjen e helmit pa u regjistruar në doganë:
https://www.youtube.com/watch?v=HunttyG17QI&feature=youtu.be