Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për herë të parë në lidhje me ardhjen këtë mbrëmje të Izet Haxhisë, ish-truprojës së tij i cili e akuzon Berishën si të implikuar për vrasjen e Azem Hajdarit.
I ftuar në emisionin “360 gradë”, Berisha ka deklaruar se ardhja e Haxhisë është “një kriminel më shumë në krah të Ramës”. Berisha është shprehur se Izet Haxhia është kthyer falë Ramës në Shqipëri, e madje se kryeministri ia ka kërkuar Turqisë ekstradimin e tij si një favor.
“Një kriminel më shumë në krah të Ramës. Ai është një kriminel i dënuar me 25 vite burg, sipas mediave i dënuar në Greqi përjetë dhe del në krah të Edi Ramës. Pse erdhi tani? E solli Edi Rama! Lajmet thonë se Ministria i ka premtuar hapjen e çështjes, Edi Rama i ka premtuar hapjen e çështjes. Si mund të hapë qeveria çështje gjyqësore?! Nxorën fytyrën e tyre!
Rama është një kryefrikacak, unë nuk kam çfarë të them ty, se o ti e njeh të brendshmen e tij o se njeh askush! Mos më bëjë të hyj unë në ca gjëra të rinisë së tij, nuk po flas se shkon e qan pastaj!” – thotë Berisha duke shtuar se Haxhia duhet të ketë një dënim më të ashpër për shkak të arratisë 20-vjeçare.
“Për 20 vite burg që nuk ka ardhur, ai meriton një ndëshkim të ri. Ka mashtruar drejtësinë shqiptare për 20 vite me radhë. Konform ligjeve të çdo vendi të botës ai duhet të rëndohet dënimi” – tha Berisha që ka bërë akuza edhe më të ashpra ndaj ish-kreut të SHIK-ur Fatos Klosi.
“Fatos Klosi përbën në historinë e këtij vendi një nga kriminelët dhe vrasësit e këtij vendi. Ai është i implikuar në vrasje. Ju sugjeron të lexoni një shkrim të Chriss. Jam unë që kam denoncuar makinat me drogë në oborrin e Fatos Klosit. Me dokumenta kjo”.
“A do hapet çështja? Ai gjyq nuk është bërë nga prokurorë shqiptarë. Dëshmia ime ka qenë kyçe. Ai është bërë nga prokurorë ndërkombëtarë të sjellë nga OSBE. I vëllai i Izetit ka bërë 15 vjet burg dhe tani ka dalë. Ka bërë dhe një libër” – e mbyll Berisha. ©LAPSI.al.