Këngëtarja Rezarta Shkurta duket se është mësuar me jetën e re pas arrestimit të bashkëshortit të saj Ermal Hoxha, i cili gjendet në burg prej më shumë se një viti. E rikthyer tek pasioni i saj si fotografe, Rezi e cila ka mbaruar liceun për pikturë, rrëfeu për herë të parë në emisionin “Xing me Ermalin”, lidhjet e saj të forta me familjen e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Atë kohë adoleshente, Rezarta Shkurta kujton herën e parë kur hyri në shtëpinë Hoxha, një mbiemër që i ka sjellë jo pak probleme por për këtë nuk është bërë pishman; “Nuk me shqetëson aspak, isha vetëm 19 vjeç kur hyra në atë familje dhe gjeta një familje shumë të dashur, shumë të ngrohtë, njerëz të thjeshtë e me kulturë, aspak imponuese. Megjithatë, me vitet njeriu ndryshon, rritet.”

Pyetjes nëse beson se Ermali është i fajshëm, ajo iu përgjigj: “Nuk do doja të më pyesje “A e beson që është i pafajshëm, sepse a beson i bie çfarë besoj unë dhe çfarë është në realitet. Unë nuk them atë që besoj, por unë them ato që janë... “ – tha Rezarta duke e konsideruar “të poshtër” mënyrën se si bashkëshorti i saj u akuzua dhe u dënua: “E gjitha nisi poshtër, nisi në mënyrë jo korrekte që nga organet kompetente, kur deklaruan se “nipi i Enver Hoxhës kapet me 300 mijë euro në makinë.” Ndërkohë që Ermali jo vetëm që nuk i kishte aq lekë në makinë, por ne ishim bashkë në Durrës....” – tha Rezarta duke iu përgjigjur kështu pyetjes së Mamaqit për pafajësinë e bashkëshortit.

Më tej ajo shpjegoi se e gjithë ngjarja mori përmasa të mëdha edhe mediatike dhe asgjë nga ato që u thanë nuk ishin të vërteta: “U thanë edhe shumë gjëra të tjera qesharake, jo vetëm nga organet, por edhe nga mediat. U bë e madhe jeta luksoze... atë jetë luksoze që flitej nëpër media, unë as e kisha parë, as e kisha prekur. Unë u bëra pronare e një Ferrari që kisha marrë për videoklipin.... “ – shton Rezarta duke theksuar se Ermal Hoxha u penalizua vetëm për shkak të mbiemrit që mbante, sepse është nipi i Enver Hoxhës dhe duhej futur brenda.

“Unë e di që kjo është padrejtësi. Megjithatë, nuk dua të flas më për këtë. Unë edhe sot, madje thashë shumë...” - e mbylli këngëtarja temën për bashkëshortin, por duke shpresuar se një ditë drejtësia do të vihet në vend jo vetëm për Ermalin, por edhe për princeshën e tyre Hera, e cila nuk duhet të rritet pa baba.