Natyrisht që ashtu siç Noizy deklaroi pak netë më parë që nuk qe ai iniciatori i sherrit të bujshëm në Prishtinë, edhe reperat Skivi dhe Cozman e mohuan kategorikisht të ishin ata që sulmuan të parët grupin OTR në parkingun e hotel "Swiss Diamond".
Në daljen e parë publike pas përplasjes me armë ku mbetën të plagosur Noizy dhe Varrosi, reperët e Babastars treguan versionin e tyre të ngjarjes me pretendimin se ishin çunat e grupit të Noizyt (10-15 vetë) që fillimisht shanë Skivin dhe më pas, me të mbërritur Cozman dhe Albert Krasniqi, ishin grricur dhe me ta.
Për këtë të fundit që ishte dhe autori i plagosjes, e që momentalisht gjendet në burgun e Lipjanit, Skivi bëri një deklaratë që në fakt tingëlloi si "tradhëti". "Cozman nuk ka qenë i vetëdijshëm që shoku jonë kishte pistoletë me vete", tha pak a shumë reperi Skivi, duke dashur të heqë përgjegjësinë nga bashkëpunëtori i tij, Cozman.
Një tjetër moment që duket se kaloi pa u vënë re, në përpjekje për të ftohur gjakrat, ishte pyetja në lidhje me deklaratën e Noizyt i cili i pati quajtur çiftin Tuna-Cozman, si çift gocash. Nga lidhja Skype direkt në Top Show, Cozman tha se nuk i kishte dhënë asnjëherë rëndësi këtyre provokimeve pasi Noizy ka tashmë 4 vite që luan këtë "lojë".