
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, megjithëse ka shprehur optimizëm, e ka pranuar se do ta ketë të vështirë t’i sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit në Kuvendin me 120 vende, për t’i shmangur një palë zgjedhjesh të reja të parakohshme, pas takimeve që zhvilloi të mërkurën vonë.
Kurti i takoi ndaras kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, si dhe tetë deputetë nga komunitetet joserbe dhe një nga komuniteti serb, në përpjekje për ta arritur mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e Bekim Sejdiut, pas një marrëveshjeje të brishtë të arritur të hënën me LDK-në.
“I falënderova për kontributin dhe angazhimin e tyre. Do të vazhdojmë të ecim tutje duke u përpjekur që t’i evitojmë zgjedhjet e reja tash që kemi marrëveshje”, tha Kurti pas takimit me deputetët Albert Kinolli, Artan Asllani, Emilja Rexhepi, Elbert Krasniqi, Fatma Taçi, Fikrim Damka, Veton Berisha, Nenad Rashiq dhe Rasim Demiri.
Paraprakisht, Kurti e kishte takuar Abdixhikun.
Takimi i tyre vjen pasi gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan edhe publikisht kandidaturën e Sejdiut për president të ri të Kosovës, duke e lëkundur marrëveshjen.
Duke folur për këtë, Kurti tha se ky ishte një zhvillim negativ, por shtoi: “Ta keni parasysh se në ketë legjislaturë jemi më mirë sa i përket numrit të votave për president... tani kemi 74 vota për president”.
Kurti nuk shpjegoi se si do të mundë t’i gjente edhe të paktën gjashtë vota të nevojshme për ta arritur minimumin e kërkuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ai shtoi se në takim me Abdixhikun foli për diskutimet pas zhvillimeve në dy partitë ditët e fundit.
Të dy partitë mbajtën takime të brendshme të martën, pasi gjashtë deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, thanë se nuk e mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president.
“Tash na duhet një mbledhje e re e kryesisë për të parë se cilat janë mundësitë për të ecur përpara. Jemi optimist, ndonëse situata është e vështirë”, theksoi Kurti.
Ndërkohë, Abdixhiku tha pas takimit me Kurtin se ka frikë se këto zhvillime tani ia pamundësojnë vendit të dalë nga kriza politike dhe institucionale që ka goditur atë për pothuajse dy vjet.
“Fatkeqësisht, me aq sa po shoh, me qëndrimet e bëra publike ne po krijojmë një situatë të pamundësisë numerike për të dalë nga kriza”, tha Abdixhiku.
Emilja Rexhepi nga Partia e Re Demokratike nga radhët e komunitetit boshnjak, i tha Radios Evropa e Lirë se Kurti i njoftoi rreth marrëveshjes me LDK-në për presidentin, por ajo nuk ndihet optimiste për daljen nga kriza.
Ajo tha se, megjithëse deputetët e komuniteteve joserbe e mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president, “mendoj se është e pamundur që kandidati të votohet pa mbështetjen e përfaqësuesve të tjerë politikë të partive shqiptare”.
“Sipas mendimit tim, po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme”, tha ajo.
Që të dy, Kurti dhe Abdixhiku, i kanë fajësuar këta gjashtë deputetë të LDK-së se duan ta çojnë vendin në zgjedhje.
Kundërshtimi i tyre bën që marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për presidentin të jetë e pamjaftueshme për zgjedhjen e tij në Kuvendin e Kosovës.
Nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18.
Por, pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve, sipas Abdixhikut, vetëm 12 deputetë të LDK-së janë të gatshëm ta mbështesin Sejdiun.
Edhe nëse kësaj llogarie i shtohen deputetët e komuniteteve joserbe që kanë bashkëpunuar me LVV-në, numri mbetet nën pragun e nevojshëm.
Partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës me 22 vende, dhe Aleanca me 7, kanë hedhur poshtë bisedimet me Kurtin për presidentin e ri.
Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.
Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.
Vendi është me ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, qëkurse Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në prill.
Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.
Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë