
Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të mërkurën më 9 shtator zbulimin e fakteve penale të reja në ngarkim të ish-zv.kryeministres dhe ish- ministres së Energjisë dhe Infrastruktrës, Belinda Balluku një lidhje me hetimet për shkelje të barazisë në tendera në disa procedura tenderimi, për korrupsion e pastrim parash.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Balluku ka fshehur një tjetër vilë të dytë në emër të ish-futbollistit të njohur të Kombëtares Shqiptare dhe ish-drejtor i Lazios e Milanit në Itali, Igli Tares. Po ashtu, ka rezultuar se një pjesë e punimeve janë realizuar nga një ndërtues, i cili është favorizuar dhe shpallur fitues në një tender, për një prej loteve të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Sipas SPAK, nga aktet e administruara kanë rezultuar prova për veprime të kundraligjshme të të pandehurës Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2 miliardë e 353.5 milionë lekë, pa tvsh.
“…Rezulton se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit Arbër Troka, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomikë fitues të kësaj procedure prokurimit, bashkimin e operatorëve ekonomikë ‘Alko-Impex General Construcion’ dhe ‘2T’ sh.p.k, duke vepruar në kundërshtim me ligjin”, citohet në njoftim, ku nënvizohet se përveç legjislacionit për “Për prokurimin publik”, është vepruar edhe në kundërshtim me ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.
Në vijim, SPAK sqaron se ish-zv.kryeministrja Balluku ka në pronësi faktike një vilë në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, e cila ka rezultuar se është një pasuri e fshehur e saj. Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, ajo ka përfdorur ish-futbollistin e njohur Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet një kontrate sipëmarrjeje në tetor të 2020-ës, në shumën 250 mijë euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.
Ndërsa investimet e mëvonshme në këtë objekt, janë marrë përsipër dhe janë realizuar nga Arfbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në tenderin e lotit 7 të Unazës së JAshtme Tiranë. Në preventivin e punimeve të marra përsipër nga ana e Abazit, vlera e investimit ishte parashikuar nga 288 mijë euro deri në 410 mijë euro.
“E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Alko Impex General Construction’, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin ‘Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27, e ndërtuar në kompleksin ‘Green Coast’, Palasë, Himarë”, velrëson SPAK.
Ndërkohë, për fshehjen e këtij përfitimi të paligjhshëm përmes korrupsionit, Balluku akuzohet se ka përdorur Taren, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të ish-futbollistit.
SPAK vlerëson se Balluku, për shkak të detyrës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka pasur detyrimin ligjor për deklarim të kësaj pasurie, por nuk e ka bërë një gjë të tillë me qëllim për ta fshehur.
Lidhur me këto rrethana, SPAK çmon se Balluku dyshohet të ketë kryer korrupsion pasiv, mosdeklarim e fshehje pasurie, si dhe pastrim parash të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë. Ndërtuesi Arbër Abazi dhe shoqëria e zotëruar prej tij dyshohen për korrupsion aktiv, ndërsa ish-futbollisti Igli Tare për pastrim parash, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e vilës në Green Coast, me sipërfaqe totale 478 m2, prej të cilave 478 m2 truall dhe 142.6 m2 ndërtesë.
Në muajin qershor, SPAK njoftoi se Balluku ka përfituar një vilë me vlerë 145 mijë euro në Dhërmi nga shoqëria “Eurocol”, në këmbim të favorizimit të kësaj kompanie në një tender – të fshehur nëpërmjet një skeme të dyshuar pastrimi parash ku ka qenë i përfshirë po ish-futbollisti, Igli Tare.
Balluku është nën hetim edhe për shkelje të barazisë në tendera, në bashkëpunim të kryer tetë herë, konkretisht për procedurën e prokurimit të Tunelit të Llogarasë; punimet në Sheshin Shqiponja; ndëertimin e segmenteve rrugore “Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”, “Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”, “Ndërtimi i Unazës sëJashtme Tiranë, Loti 4”, “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”, “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”, “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. /Marrë nga Reporter.al