Flash

Ekzekutimi në Itali/ Shqiptarin e lidhën, e qëlluan dhe e hodhën në lumë

Lapsi.al 9 September 2026

Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar, Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet brenda një automjeti të zhytur në lumin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, në Itali.

Hoti, banues në Mirano, u gjet i pajetë në sediljet e pasme të një Fiat Bravo të zi, pa targa. Trupi i tij ishte futur në një qese të zezë dhe ishte rënduar me goma automjetesh, në përpjekje për ta mbajtur të zhytur në ujë.

Sipas ekzaminimeve të para mjeko-ligjore, 35-vjeçari ishte qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt. Në momentin e ekzekutimit, ai kishte duart e lidhura.

Autopsia ka nxjerrë në pah edhe një tjetër detaj të rëndësishëm: Hoti kishte ndërruar jetë përpara se trupi të përfundonte në ujë. Në mushkëri nuk janë konstatuar shenja uji, duke përjashtuar mundësinë që ai të ishte mbytur.

Pronari i makinës nuk denoncoi vjedhjen

Një nga pikëpyetjet kryesore të hetimit lidhet me automjetin e përdorur për të transportuar dhe fshehur trupin.

Karabinierët kanë arritur të identifikojnë pronarin e Fiat Bravo-s përmes numrit të shasisë, pasi makina ishte gjetur pa targa në basenin e Tergolës.

Bëhet fjalë për një person që banon në provincën e Venecias dhe që nuk kishte denoncuar vjedhjen e automjetit.

Pronari është marrë në pyetje nga karabinierët, të cilët po përpiqen të zbardhin se si përfundoi makina në duart e autorëve dhe nëse ai ka ndonjë lidhje me ngjarjen.

Po rindërtohet mbrëmja e fundit e shqiptarit

Hetuesit po rindërtojnë lëvizjet e Hotit gjatë mbrëmjes së së hënës, 7 shtator, për të zbuluar se me kë është takuar dhe ku ka qenë para se të ekzekutohej.

Në të njëjtën kohë, po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, përfshirë kamerat e një punishteje druri pranë vendit ku u gjet automjeti.

Fakti që trupi ishte futur në një qese dhe ishte rënduar me goma, ndërsa makina ishte shtyrë në ujë, ka përforcuar dyshimet e hetuesve se bëhet fjalë për një ekzekutim të planifikuar dhe një përpjekje të qëllimshme për të zhdukur gjurmët.

Edhe zgjedhja e vendit ku u braktis makina po hetohet. Automjeti u pikas në orët e para të mëngjesit nga disa persona që po kalonin në zonë, vetëm disa dhjetëra metra larg një rrethrrotullimi të frekuentuar në Torre di Burri.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët ta njihnin mirë zonën dhe karakteristikat e basenit të Tergolës.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e vrasjes, identifikuar autorët dhe përcaktuar rolin e personave të tjerë që mund të kenë pasur dijeni për ngjarjen. 

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI