Flash

Serbia po mban frymën/ Vuçiç: Respektoj vendimin e qytetarëve

Lapsi.al 25 October 2026

Serbia po mban frymën/ Vuçiç: Respektoj vendimin e

Ish-Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë deklaratën e parë pas mbylljes së qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duke theksuar se qytetarët kanë vendosur për drejtimin që do të marrë vendi në vitet e ardhshme.

Në një prononcim për mediat, Vuçiç deklaroi se Serbia ndodhet përpara një zgjedhjeje të rëndësishme, mes së ardhmes dhe rikthimit në të kaluarën, të cilën ai e lidhi me periudhën e privatizimeve dhe vështirësive ekonomike.

“Serbia zgjedh se në cilin drejtim do të shkojë, nëse do të ecë drejt së ardhmes apo drejt së kaluarës, në kohën e privatizimeve grabitqare, shkatërrimit ekonomik të vendit dhe poshtërimit politik të kombit dhe të gjithë shtetit. Do të shohim se si do të vendosin njerëzit”, u shpreh Vuçiç.

Ai theksoi se vendimi i qytetarëve duhet të respektohet, pavarësisht rezultatit të votimit.

“Vullneti i popullit është vullneti i Zotit. Vox populi, vox Dei”, deklaroi ai.

I pyetur nga gazetarët se çfarë mesazhi kishte për qytetarët pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç u bëri thirrje të presin shpalljen e rezultateve paraprake.

Ai njoftoi se të dhënat e para priten të publikohen rreth orës 23:30.

“Do ta kemi atë vlerësim dhe rezultatet paraprake diku rreth orës njëmbëdhjetë e gjysmë të mbrëmjes. Si gjithmonë, do të japim rezultate të sakta, deri në 0.1 për qind. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe”, tha presidenti serb.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mediave të huaja, Vuçiç deklaroi se pret një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje dhe që qytetarët serbë të shprehin lirisht vullnetin e tyre demokratik.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi u zhvilluan këtë të diel, më 25 tetor, ndërsa qendrat e votimit u mbyllën në orën 20:00.

Sipas të dhënave të Komisionit Republikan Zgjedhor, pjesëmarrja deri në orën 18:00 arriti në 64.89 për qind. Në këto zgjedhje, qytetarët votuan për të zgjedhur 250 deputetët e Parlamentit të ri të Serbisë, ndërsa në garë morën pjesë 18 lista zgjedhore. /BW

Të këshilluara

ide

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI