
Pas rritjes së lartë të çmimeve të naftës dhe benzinës qeveria miraton vendimin për ringritjen e Bordit të Transparencës së karburanteve.
Në një dalje për mediat pas përfundimit të mbledhjes së këshillit të Ministrave, Delina Ibrahimaj tha se arsyeja e ringritjes së bordit është me qëllim aktivizimin e masës për uljen e akcizës.
Për shkak të rritjes së çmimeve, më 3 Prill qeveria miratoi Akti Normativ për uljen e akcizës me 20% nëse çmimi i naftës me pakicë kalonte nivelin 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër.
Por Ministria e Financave shpjegoi më herët për Monitor se vendimmarrja për aplikimin e uljes së akcizës lidhej me funksionimin dhe vendimin e Bordit. Pas stabilizimit të çmimeve prej disa javësh Bordi i Transparencës nuk funksionon.
“Është marrë vendimi për ringritjen e Bordit të Transparencës, i cili do të monitorojë çmimet e karburanteve. Tregu do të vijojë të mbahet nën monitorim dhe analizë, pa një afat të përcaktuar për mbylljen e Bordit.
Vendimi për ringritjen e tij synon gjithashtu aktivizimin e uljes së akcizës për karburantet, në funksion të lehtësimit të çmimeve për konsumatorët”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Por formula e llogaritjeve të çmimit të karburanteve nga Bordi i Transparencës është kundërshtuar nga importuesit e naftës, pasi po u shkakton humbje operatorëve nga llogaritja e çmimin nën kosto.
Operatorët kanë sqaruar se gjatë periudhës së funksionimit të Bordit të Transparencës qeveria vijoi të përdorë të njëjtën metodologji të gabuar, duke kryer përllogaritjet në bazë të çmimit FOB (Free on Board) dhe nuk merr në konsideratë transportin dhe sigurimin, dhe jo të çmimit CIF, që përfshin transport e sigurim dhe që e rrisin edhe me 45-50 dollarë për ton çmimin e blerjes (që nga viti 2024, kompanitë e tregtimit ndërkombëtar nuk operojnë më mbi bazën e kontratave FOB, por mbi bazën e kontratave CIF).
Ndërsa çmimi i vendosur nga Bordi bazohej në treguesin FOB, doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi treguesin CIF.
Por kjo diferencë krijon humbje te operatorët me 4.7 lekë për litër.
Për shkak të humbjeve nga llogaritje e çmimit nën kosto 8 operatorë kërkojnë rreth 11,8 mln euro dëmshpërblim.
Në datën 19 shtator në Gjykatën Administrative pritet të zhvillohet edhe seanca e parë me shqyrtimin e padisë së parë (për secilin operator padia do të shqyrtohet më vete).
Ndërkohë nga rritja e çmimeve të karburanteve sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor shteti ka arkëtuar për muajt mars-korrik 18 mln euro më shumë të ardhura.