
Protestat në Francë janë përshkallëzuar sërish këtë të shtunë, me përplasje mes demonstruesve dhe policisë në Marsejë. Në Paris mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar pabarazinë sociale dhe mungesën e financimit për shërbimet publike. Sipas The New York Times, tensionet u rritën në disa prej qyteteve ku u organizuan demonstrata.
Në Marsejë, përplasjet shpërthyen pranë Porte d’Aix, ku ishte planifikuar të përfundonte një marshim i autorizuar. Të rinj, shumë prej të cilëve kishin mbuluar fytyrat me maska kundër gazit apo maska skijimi, tërhoqën pllaka të mëdha metalike në rrugë për të ngritur barrikada. Disa protestues hodhën gurë dhe shishe drejt policisë, ndërsa të tjerë ndezën fishekzjarrë në drejtim të efektivëve. Policia reagoi duke hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe, në një moment, përparoi me mburoja e shkopinj gome për të zmbrapsur turmën. Gazi lotsjellës përfshiu edhe një rrugicë pranë zonës së demonstrimit, duke detyruar protestuesit të tërhiqeshin me nxitim drejt sheshit.
Në Paris, vendndodhja e demonstratës u ndryshua në momentin e fundit. Pavarësisht kësaj, mijëra qytetarë u mblodhën në zonën e përcaktuar në pjesën juglindore të kryeqytetit. Sipas The New York Times, ndryshimi i vendit të protestës shkaktoi pakënaqësi te një pjesë e pjesëmarrësve, të cilët e konsideruan vendimin një përpjekje për të kufizuar dukshmërinë e demonstratës.