
Protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, me synimin për t’u rikthyer drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Tensionet janë regjistruar në zonën pranë ish-Ekspozitës, ku forcat e policisë kanë dalë përpara grupit të protestuesve dhe kanë ndërhyrë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Policia është shpërndarë në disa zona të kryeqytetit, ndërsa ka nisur shoqërimin e disa personave pas tensioneve dhe incidenteve të regjistruara.
Gjatë protestave të ditëve të fundit janë raportuar edhe përdorimi i fishekëve të gomës dhe shkopinjve nga efektivët, ndërsa disa protestues kanë mbetur të lënduar. Pavarësisht ndërhyrjeve, turma ka vijuar marshimin, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.