Flash

Populli dhe banda me uniformë

Një grup pesë-gjashtë burrash, ndonjëherë më shumë, i afrohen një personi. Ai është i paarmatosur, zakonisht i...

12:12 Neritan Sejamini

Populli dhe banda me uniformë

Neritan Sejamini 14 October 2026

Një grup pesë-gjashtë burrash, ndonjëherë më shumë, i afrohen një personi. Ai është i paarmatosur, zakonisht i shkëputur pak nga turma e madhe. Ata e rrethojnë dhe nisin ta godasin me grushte, me shkopinj, me çfarëdo që kanë në dorë. Ai bie përtokë, nuk si të mbrojë veten, por ata vazhdojnë ta shqelmojnë. Kur ai shembet nga dhuna, e marrin dhe e tërheqin zvarrë.

Një grup tjetër ka rrëmbyer një djalë të ri, të cilit i kanë thyer këmbën. Katër a pesë prej tyre e mbajnë pezull, të kapur nga duart dhe rrobat. Këmba e të riut lëkundet si lavjerrës, pasi kocka që duhet ta mbante drejt është thyer.

Një të riu tjetër në trotuar i afrohet dinakërisht dikush që nga veshja duket kalimtar i zakonshëm dhe nis ta qëllojë me grushte në kokë. Pesë-gjashtë të tjerë i bashkohen menjëherë, duke e goditur me grushte dhe shkopinj gome. Ai rrëzohet. Ata e kapin nga këmbët dhe nisin ta tërheqin zvarrë me kokën që përplaset mbi asfalt, derisa zhduken pas një kthese.

Një i ri me shenja të rënda dhune në fytyrë është prangosur dhe lidhur pas derës së hekurt të një ndërtese ku mbahet në këmbë, ndërsa në ajër lëshohet gaz lotsjellës.

Këto nuk janë skena përleshjesh mes bandash në ndonjë zonë periferike. As të grupeve paramilitare që sfidojnë shtetin.

Janë skena në qendër të Tiranës, përpara ndërtesave kryesore të qeverisë, ditën e martë, më 13 tetor.

Ata që rrahin janë punonjës të Policisë së Shtetit, të pajisur me jelekë specialë, helmeta dhe shkopinj gome.

Ata që rrihen janë studentë dhe qytetarë që protestonin kundër qeverisë.

Policia nuk është bandë
Shikoni pamjet e dhunës policore dhe pyesni veten: çfarë kërkonin të arrinin këta policë me këto veprime? Të lironin një rrugë? Të mbronin një ndërtesë?

Kur një djalë i ri është përtokë, i neutralizuar nën peshën e disa burrave, nuk ka më asgjë për të mbrojtur.

Çdo goditje pas këtij momenti është ndëshkim personal. Çdo shqelm është hakmarrje.

Këto nuk janë veprime legjitime policie. Kjo është logjika e bandave të rrugës ndaj rivalëve: izoloje njërin, turru në grup, rrihe barbarisht dhe sigurohu që kushdo që shikon të marrë mesazhin e frikës.

Disa nga dhunuesit nuk kishin as uniforma policie apo shenja dalluese. Të veshur civilë, ata ndiqnin nga afër protestuesit, duke kërkuar këdo që mbetej pak hapa pas turmës.

I afroheshin viktimës që nuk dyshonte dhe nisnin ta godisnin pa paralajmërim. Menjëherë në mbështetje vinin efektivët me uniformë, të cilët ose i bashkoheshin rrahjes në grup, ose bënin sehir.

Ky është banditizëm, jo operacion policor.

Dje, e gjithë trupa policore dukej se funksiononte me vetëm një direktivë: dhunë direkte dhe brutale.

Pa asnjë plan taktik, pa asnjë formacion apo koordinim. Thjesht grupe policësh të lëshuar në rrugë që hidheshin mbi trupat e protestuesve të drobitur nga gazi lotsjellës, uji me presion dhe spraji me piper — të përdorura pa kufi dhe pa dallim.

Kush i mësoi të veprojnë kështu?
Dhuna e së martës nuk lindi brenda një dite. Një polici nuk mëson të rrahë njerëz të neutralizuar në një protestë; e mëson diku tjetër, nga dikush tjetër.

Prej vitesh, hetimet e SPAK-ut dhe dosjet e mbështetura mbi mesazhet e zbërthyera të Sky ECC kanë vënë nën dyshim dhe pranga dhjetëra drejtues e oficerë policie për bashkëpunim direkt me krimin e organizuar. Përditë zbulohen segmente policore të komprometuara.

Vetëm javët e fundit kemi ish-drejtorin e përgjithshëm të policisë për gati dy vjet nën hetim për bashkëpunim me krimin e organizuar. Një tjetër ish-funksionar i lartë policie u kap duke shoqëruar kreun e një grupi kriminal.

Krimi, kur hyn në polici, nuk hyn vetëm me para dhe me favore. Hyn me metodat e veta: asgjësimin e kundërshtarit me dhunë të pamëshirshme dhe terrorizimin e publikut, që askush të mos guxojë të reagojë. Të martën, këto metoda dolën në rrugë me uniformë.

Kur policë me rroba civile sulmojnë një djalë të paarmatosur, kur uniformat blu mbërrijnë jo për të ndalur rrahjen por për ta përfunduar atë, kur të plagosurit tërhiqen zvarrë si thasë dhe ministria përgjegjëse hesht, pyetja është e pashmangshme: a po e zbaton Policia e Shtetit ligjin, apo po imiton bandat që u ngarkua t’i luftonte?

Shkatërruesit e vërtetë
Vandalizmi apo hedhja e gurëve ndaj institucioneve e ka rrugën e vet ligjore: identifiko shkaktarët, arrestoji sipas procedurës dhe dërgoji para gjyqtarit.

Versioni zyrtar do të flasë gjithmonë për "sulm ndaj policisë". Por pamjet filmike nuk tregojnë studentë që po sulmonin në çastin kur goditeshin; ato tregojnë dhunë të verbër ndaj trupave të neutralizuar.

Një këmbë e thyer e lëkundur mbi asfalt, një kokë e përplasur në trotuar, mushkëri të mbushura me gaz — ky është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj jetës, me autor vetë shtetin.

Apologjetët e rendit do të përpiqen të relativizojnë gjithçka me manuale teorike. Por thelbi mbetet marrëdhënia themelore mes popullit dhe pushtetit.

Liria politike buron nga llogaridhënia e pushtetit ndaj qytetarëve, jo nga terrori i qytetarëve përballë shkopinjve të policisë.

Flitet me zell për dëmet materiale të disa xhamave apo mureve të lyera me bojë. Po dëmet e panumërta të korrupsionit të pandalshëm, kush i paguan?

Kush do t’i paguajë mbi 140 milionët e grabitur të inceneratorëve? Po 50 milionët e korrupsionit të Tunelit të Llogarasë? Po 130 milionët e humbur në arbitrazhin me Bekettin?

Për miliarda euro dëme korrupsioni dhe abuzimi, askujt nuk i janë thyer këmbët dhe asnjë ministër nuk është rrahur në rrugë. Por as përgjegjësi nuk ka mbajtur askush; përkundrazi, përgjegjësit gëzojnë pushtetin dhe bëjnë moral.

Drejtësia nuk mund të jetë një hanxhar që godet me barbarizëm qytetarin në rrugë dhe kthehet në mburojë kur bëhet fjalë për abuzimet në zyrat e shtetit.

Rrëzimi i një regjimi abuziv nuk është krim, është pasojë
Asnjë qeveri nuk ua dhuron qytetarëve të drejtën për të protestuar, dhe asnjë qeveri nuk ua merr dot.

Një popull ka të drejtë të kërkojë largimin e një qeverie që e shpërdoron mandatin e saj. Dhe kur pushteti zgjedh të mbrohet përmes dhunës dhe metodave të botës së errët, reagimi popullor nuk është kapriço, por pasojë e pashmangshme e mbylljes së kanaleve demokratike.

Deklarata Universale të të Drejtave të Njeriut e pranon qw nw hyrje: kur të drejtat themelore nuk mbrohen nga shteti i së drejtës, njeriu shtyhet, si mjet i fundit, drejt rebelimit kundër tiranisë dhe shtypjes.

Ajo nuk e quan këtë krim. E quan pasojë.

E drejta për t'u ngritur kundër pushtetit nuk është shpikje e protestuesve të Tiranës. Është themeli i Evropës moderne.

Që në vitin 1789, Deklarata franceze e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit e rendiste rezistencën ndaj shtypjes ndër të drejtat natyrore dhe të patjetërsueshme të njeriut, krah lirisë dhe sigurisë.

Por shqiptarët nuk kanë nevojë ta mësojnë këtë nga librat.

Në dhjetor 1990, studentët dolën nga konviktet dhe u ngritën kundër një regjimi që për gjysmë shekulli kishte burgosur dhe vrarë kundërshtarët e tij.

Asnjë ligj nuk ua lejonte. Policia u mundua t'i ndalonte. Por ata u ngritën për lirinë e mohuar me dhunë.

Prej asaj nate lindi demokracia shqiptare, e njëjta demokraci në emër të së cilës sot rrihen studentët.

Një shoqëri që hesht dhe pranon dhunën e pajustifikuar shtetërore mbi të rinjtë e saj pushon së qeni një bashkësi qytetarësh të lirë — ajo kthehet në një turmë të nënshtruar.

Të këshilluara

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

Rënia e Vlorës në shtratin e krimit

Vlora nuk është as dardhë e as pjeshkë që dikush e ha pas shpinës së kryeminstrit. Ajo është ilustrimi më eklatant se si vetë Edi Rama i ka vënë institucionet e vendit në shërbim të pushtetit të tij, që në thelb është pushteti i krimit

14:48 Armand Shkullaku

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

Po tani, a duhet të dorëhiqet Veliaj?

Deri më tani për ta nxjerë Lalin nga burgu u përdor alibia e mos dëmtimit të interesit të qytetarëve dhe punëve të Tiranës. Këtej e tutje, pasi mirë apo keq, Gjykata e Lartë vendosi të lërë edhe për një kohë relativisht të gjatë të izoluar, duhet të jesh i pafytyrë që të mbrosh idenë se ai mund të mbetet kryebashkiak edhe në dëm të këtij interesi

12:27 Andi Bushati

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

ide

Populli dhe banda me uniformë

Një grup pesë-gjashtë burrash, ndonjëherë më shumë, i afrohen një personi. Ai është i paarmatosur, zakonisht i...

12:12 Neritan Sejamini

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.29

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI