Flash

New York Times zbulon skandalet e kreut të FIFA-s Infantinos: favoret për miqtë, e afera e portierit të Kongos

Një lajm aspak i mirë në prag të Botërorit të futbollit, me të cilin drejtuesit e FIFA-s kanë vendosur të përballen me atë që ka të gjitha shenjat e një përpjekjeje për ta fshehur.

Lapsi.al 6 October 2026

New York Times zbulon skandalet e kreut të FIFA-s Infantinos: favoret

Një lajm aspak i mirë në prag të Botërorit të futbollit, me të cilin drejtuesit e FIFA-s kanë vendosur të përballen me atë që ka të gjitha shenjat e një përpjekjeje për ta fshehur. Të paktën sipas rindërtimit të “New York Times”, që i kushton vëmendje të gjerë polemikës së fundit të lidhur me presidencën e Gianni Infantinos. Sipas gazetës, drejtuesit ligjorë të FIFA-s, organit qeverisës të futbollit botëror, kishin përcaktuar në mënyrë konfidenciale se Republika Demokratike e Kongos po aktivizonte një lojtar të palejueshëm, sipas dokumenteve të brendshme dhe korrespondencës së shqyrtuar nga gazetarët, si dhe sipas asaj që ka deklaruar një drejtues i lartë i përfshirë drejtpërdrejt në çështje, i cili ka folur në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje sensitive.

Një shkelje e tillë normalisht sjell humbjen në tavolinë të çdo ndeshjeje në të cilën lojtari i palejueshëm është përfshirë në listën e ndeshjes. Kongos i nevojitej një fitore e fundit, në play-off kundër Xhamajkës, për t’u kualifikuar në Botëror për herë të parë pas 52 vitesh. FIFA – ka shkruar “New York Times” – e ka lejuar në heshtje lojtarin dhe kombëtaren të vazhdonin pjesëmarrjen. Kongo në fakt mposhti Xhamajkën dhe siguroi një vend në turne. Botërori 2026 e ka vënë tashmë FIFA-n dhe Infantinon nën një vëzhgim të fortë, mes pikëpyetjeve mbi fair-play dhe ndërhyrjet politike, veçanërisht pasi organi qeverisës i futbollit botëror hoqi pezullimin e një lojtari të Shteteve të Bashkuara (Balogun, shën. i red.) pas një telefonate mes Infantinos dhe presidentit Trump.

Më pas doli në dritë se Infantino kishte nisur negociata sekrete për të shitur një pjesë të turneve të ardhshëm te një fond privat i menaxhuar nga vëllai i dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner. Projekti e shtyu UEFA-n – organin qeverisës të futbollit europian – të kërcënonte me paraqitjen e një kallëzimi në drejtësinë penale dhe ngriti pikëpyetje mbi të ardhmen e Infantinos. Rishikimi i pozicionit të skuadrës së Kongos nga FIFA erdhi pas një ankese të paraqitur nga Nigeria mbi përshtatshmërinë e një lojtari. Kongoja kishte mposhtur Nigerinë, duke u kualifikuar kështu për ndeshjen kundër Xhamajkës. Gjatë hetimit mbi ankesën, FIFA zbuloi se Kongoja nuk kishte përfunduar kurrë dokumentacionin e nevojshëm për t’i lejuar portierit Lionel Mpasi të ndryshonte federatën me të cilën ishte i lidhur, pasi ai kishte luajtur në ekipet e moshave të Francës, sipas dokumenteve.

FIFA nuk ka mohuar asnjë nga përfundimet e “New York Times”, duke deklaruar vetëm se kishte rrëzuar ankesën e Nigerisë për një çështje procedurale. Në një email dërguar gazetës, organi qeverisës i futbollit botëror deklaroi se komitetet e tij janë “autonome dhe vendosin për çështjet mbi bazën e rregulloreve në fuqi dhe fakteve specifike të paraqitura për vlerësimin e tyre”. Gjithashtu, FIFA ka deklaruar se Infantino nuk ka pasur asnjë rol në këto vendime. Në rastin e Kongos, zyrtarët e FIFA-s kishin përgatitur disa opsione të mundshme, mes tyre t’i akordonin fitoren Nigerisë, të vendosnin gjoba, të zëvendësonin Kongon me Nigerinë në play-off-in kundër Xhamajkës ose të mos merrnin asnjë masë, me argumentin se Nigeria kishte paraqitur ankesën me vonesë, siç tregojnë dokumentet.

Çështja FIFA-Mpasi, precedentët

Korrespondenca e mëtejshme lidhur me hetimin, e shqyrtuar gjithashtu nga “New York Times”, përmbante detaje mbi veprimet e ndërmarra nga FIFA në raste të mëparshme që përputheshin me informacione tashmë të njohura publikisht. Një zyrtar ligjor i FIFA-s, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë çështje, ka konfirmuar autenticitetin e dokumenteve të siguruara nga “New York Times”. Në vitin 2016, pasi Greqia kishte aktivizuar një lojtar të palejueshëm, i cili kishte përfaqësuar Australinë në nivel të ekipeve të moshave, FIFA kishte ndërhyrë me vendosmëri, duke përcaktuar humbjen 3-0 të Greqisë në ndeshjen kundër Turqisë.

Dy vite më vonë, FIFA kishte ndryshuar rezultatet e dy ndeshjeve të Bolivisë në eliminatoret e Botërorit 2018, pasi kishte përcaktuar se Bolivia kishte aktivizuar një lojtar që më parë kishte përfaqësuar Paraguajin. FIFA kontrollon eventin më të ndjekur të futbollit në botë, Botërorin e meshkujve, dhe turneu i vitit 2026 ka gjeneruar më shumë se 15 miliardë dollarë. Si organ qeverisës botëror, FIFA – ka theksuar gazeta amerikane – ushtron një ndikim të jashtëzakonshëm mbi futbollin. Humbja kundër Kongos ka pasur pasoja të mëdha për futbollin nigerian. Ndër pasojat ka qenë, pjesërisht, edhe dorëheqja e të gjithë bordit drejtues të federatës kombëtare të futbollit.

Një prej këtyre drejtuesve, presidenti i federatës Ibrahim Musa Gusau, ka deklaruar se ishte informuar që ankesa e tyre ishte rrëzuar për arsye teknike, por nuk ishte vënë në dijeni për vlerësimin e FIFA-s mbi përshtatshmërinë e portierit. “Ata thjesht kanë heshtur dhe nuk mund t’ia thonë askujt, sepse e dinë se për ta do të ishte një krizë shumë e rëndë”, ka thënë ai, duke iu referuar FIFA-s. Ai ka kërkuar që të hapet një hetim. “New York Times” ka shqyrtuar një dokument që përputhet me përshkrimin e dhënë nga Gusau për përgjigjen e FIFA-s. Çështja e Kongos do të rikthejë gjithashtu vëmendjen te lidhjet rajonale të Infantinos. Ndërsa përpiqet të ruajë postin e tij, Infantino me shumë gjasa do të ketë nevojë për mbështetjen afrikane. Gjatë mandatit të tij, ai ka investuar kapital politik dhe miliona dollarë në fonde zhvillimi në 54 vendet e rajonit. Shumica e këtyre vendeve pritet ta mbështesin Infantinon në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

“Infantino mund të ketë mbrojtur kandidatin e preferuar”

FIFA ka 211 anëtarë në të gjithë botën dhe secili prej tyre ka nga një votë, ndaj sigurimi i elektoratit afrikan mund të jetë vendimtar. Në kohën e verifikimit të përshtatshmërisë nga FIFA, Véron Mosengo-Omba, aleat i Infantinos, po përgatitej të kandidonte për presidencën e federatës së futbollit të Kongos. Dy muaj më vonë, mes euforisë për kualifikimin e Kongos në Botëror, Mosengo-Omba ishte kandidati i vetëm dhe u zgjodh president i federatës. Tetë rivalë të tjerë ishin tërhequr ose ishin përjashtuar pas ndryshimeve të rregullave mbi përshtatshmërinë. Princi Zelkifli Rahman Ngoufonja, ish-drejtues kamerunas i FIFA-s, i njohur si Prince Zul, ka deklaruar se marrëdhënia mes Infantinos dhe Mosengo-Ombas ngrinte pikëpyetje. “Nëse FIFA do ta kishte përjashtuar Kongon nga Botërori”, ka thënë Prince Zul, perspektivat e aleatit të Infantinos “mund të ishin dëmtuar”. Mosengo-Omba ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të përfundimeve të FIFA-s. 

Xhamajka, skuadra e mundur nga Kongoja për të siguruar kualifikimin në Botëror, nuk i është përgjigjur një kërkese për koment mbi lajmin. Concacaf, organizata që mbikëqyr futbollin në Karaibe dhe Amerikën e Veriut, ka shprehur shqetësim për procedurën. Çdo dyshim lidhur me përshtatshmërinë e lojtarëve, veçanërisht atyre që mund të ndikojnë në integritetin e një kompeticioni ose në interesat e një prej federatave tona anëtare, duhet të shqyrtohet dhe të trajtohet në mënyrë të plotë”, ka deklaruar organizata në një komunikatë. Këtë javë, Infantino do të takohet me drejtuesit e futbollit afrikan në Kepin e Gjelbër, ku pritet të përpiqet të konsolidojë mbështetjen politike në prag të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s. “Infantino ka nevojë për Afrikën për të mbijetuar”, ka thënë Prince Zul. “Ai nuk mund të përballojë humbjen e anëtarëve” në kontinent.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI