
Situata në qendër të Prishtinës mbetet e tensionuar pasi policia e Kosovës po bën përpjekje për të shpërndarë protestuesit e mbledhur para Kuvendit. Forcat e rendit kanë tentuar të largojnë qytetarët nga sheshi “Skënderbeu”, duke hedhur gaz lotsjellës ndaj tyre.
Sipas protestuesve dhe disa përfaqësuesve të opozitës gazi lotsjellës u hodh nga godina e qeverisë që ndodhet pranë asaj të Kuvendit.
Oficerë të policisë për kontrollin e trumave të trazirave e kanë krijuar një kordon në këtë shesh të kryeqytetit dhe po vazhdojnë t’i shtyjnë protestuesit larg ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, është raportuar edhe për disa protestues të lënduar. Policia e Kosovës tha se përdori gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve dhe zyrtarëve nga Kuvendi, pasi një grup protestuesish kishte bllokuar daljen.
Protestuesit hodhën sende dhe mjete piroteknike drejt ndërtesave shtetërore duke bërë që disa deputetë e zyrtarë u detyruan të ktheheshin brenda Kuvendit.
Ndaj godinës së qeverisë u hodhën edhe fishekzjarrë. Policia raportoi se pati dëme nga hedhja e sendeve dhe djegia e disa kontejnerëve të mbeturinave në rrugë.
Protestuesit kërkojnë miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale. ©LAPSI.al