
Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është kthyer në një qendër për tendera të fshehtë, teksa përmes saj janë menaxhuar qindra milionë euro të taksapaguesve.
Berisha tha se pas largimit të qeverisë së tij, tenderimet për sistemet dhe shërbimet e teknologjisë u përqendruan te AKSHI.
Ai akuzoi ish-drejtuesen e agjencisë, Mirlinda Karçanaj, se ka zhvilluar tenderime sekrete dhe pretendoi se një pjesë e madhe e tyre janë fituar nga Armand Frangu, të cilin e cilësoi si të afërt me familjen Rama.
Berisha: Çfarë ndodhi? Ndodhi që në vend të praktikave transparente, të decentralizuara të tenderimeve për sistemet dhe mirëmbajtjen në të gjitha shkollat, administratën kudo, ne arritëm një, ne kishim një objektiv dhe investuam shumë për dixhitalizimin e të gjitha proceseve të administratës. Ato kryeshin nga bashkitë, nga komunat, nga drejtoritë e arsimit, të gjitha të decentralizuara. Agjencia kishte një detyrim, standardet e IT-së. Standardet e institutit të teknologjisë të Nju Jorkut, një institut që përcaktonte standardet botërore të mjeteve. Dhe këto standarde miratoheshin nga Këshilli i Ministrave. Agjencia mbikëqyrte vetëm këto standarde. Tani u larguam ne, balozi i zi hyri në AKSHI.
Kush ishte balozi i zi?
Balozi i zi është Armand Frangu, baxhanaku i shoqes Linda. Linda Rama. I cili ishte një sipërmarrës i vogël, punonte gjatë qeverisë sonë, por tani ai duhej të vërsulej në qindra e qindra milionë euro. Brenda dy viteve me vendime të baxhanakut, të gjitha tenderimet në territorin e Shqipërisë në këtë fushë bëheshin, do të bëheshin vetëm nga AKSHI. Vetëm nga AKSHI.