
Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për sfidën e radhës në Nations League, por në prag të ndeshjes me San Marinon ka pasur lëvizje të reja në organikën e kuqezinjve. Alen Sherri mbetet jashtë për shkak të një shqetësimi muskulor, ndërsa Feta Fetai rikthehet te ekipi A pas problemeve me dokumentacionin.
Sherri nuk ia del, Taho thirret nga U-21
Shqipëria ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Air Albania”, aty ku të martën do të përballet me San Marinon në ndeshjen e katërt të UEFA Nations League. Trajneri Rolando Maran e ka përdorur këtë seancë kryesisht për të konsoliduar aspektet taktike dhe për t'i dhënë formë përfundimtare skuadrës që do të zbresë në fushë. Për rreth një orë, grupi është stërvitur normalisht, me përjashtim të Ardian Ismajlit, i cili ka ndjekur një program të diferencuar.
Për mbrojtësin nuk ka shqetësim serioz. Ngarkesa e akumuluar pas tri ndeshjeve të fundit ka bërë që stafi teknik dhe ai mjekësor të tregohen të kujdesshëm, por Ismajli pritet të jetë në dispozicion të Maranit për sfidën me San Marinon.
Ndryshimi i detyruar vjen në portë. Alen Sherri, i cili pati shqetësime muskulore gjatë transfertës në Finlandë, iu nënshtrua kontrolleve mjekësore. Ekzaminimet kanë konfirmuar se portieri nuk është në gjendjen optimale për të luajtur dhe për këtë arsye nuk do të jetë pjesë e ndeshjes. Në vend të tij, Maran ka thirrur Alain Tahon. Portieri i Kombëtares U-21 do t'i bashkohet ekipit të parë dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit italian.
Fetai rikthehet te Kombëtarja A
Një tjetër lëvizje në listë lidhet me Feta Fetain. Mesfushori nuk ka mundur t'i bashkohet Kombëtares U-21 për miqësoren ndaj Ukrainës, për shkak të problematikave që lidhen me dokumentacionin e qëndrimit.
Fetai ka tejkaluar limitin 90-ditor të qëndrimit në zonën Shengen brenda një viti kalendarik dhe aktualisht është në procesin e pajisjes me leje qëndrimi në Bashkimin Europian, në bashkëpunim me klubin e tij. Në këto kushte, ai është rikthyer në dispozicion të Kombëtares A dhe mund të jetë një alternativë më shumë për Maranin në përballjen me San Marinon.
Fokus te fitorja
Me përgatitjet tashmë të përfunduara, Shqipëria e ka kthyer të gjithë vëmendjen te ndeshja e radhës. Ndryshimet e fundit nuk prekin vetëm listën, por i japin stafit teknik edhe një tjetër situatë për t'u menaxhuar në një moment ku çdo detaj mund të ketë rëndësi.
Maran duhet të bëjë zgjedhjet përfundimtare për formacionin, ndërsa sfida me San Marinon kërkon nga kuqezinjtë jo vetëm rezultat, por edhe vazhdimësi në paraqitje pas ndeshjeve të fundit. Tashmë topi është në fushë. Për Shqipërinë, përgatitjet kanë përfunduar dhe gjithçka është gati për një tjetër betejë në Nations League.