
Interesi nga Spanja në momentet e fundit të merkatos nuk ishte thjesht një sugjerim i fundit të verës. Barcelona e kërkoi vërtet Lautaro Martinez për të përforcuar sulmin, përpara se të kalonte te Gabriel Jesus, edhe pse nga Milano e kishin minimizuar interesin: këtë e konfirmoi argjentinasi, duke zbuluar një nga prapaskenat e shumta të merkatos së muajve të fundit, e cila rrezikoi seriozisht Interin që mund të humbiste kapitenin e tij vetëm pak ditë para përfundimit të sesionit veror.
Rreziku që sulmuesi të bënte valixhet ishte vërtet i ulët, sepse oferta e blaugranëve erdhi, por nga ana tjetër Lautaro falënderoi dhe refuzoi. Ai e tregoi vetë këtë për mikrofonat e Sky gjatë Gran Galà del Calcio, që u zhvillua në Teatro alla Scala të Milanos, një skenografi perfekte për një zbulim kaq befasues.
Oferta e Barcelonës për Lautaron
Objektivi numër një i merkatos së katalanasve ishte Julian Alvarez, por muri i ngritur nga Atletico Madridi i detyroi të ndryshonin drejtim. Kështu, në fillim të muajit gusht, drejtori sportiv Deco u takua me agjentin e Lautaro Martinezit për të rindezur një shkëndijë të fjetur prej kohësh: në vitet e kaluara Barcelona kishte provuar tashmë të joshte argjentinasin, por këtë herë oferta erdhi vërtet në ditët e fundit të merkatos, duke bërë Interin të dridhej. Futbollisti e tregoi këtë prapaskenë, duke sqaruar menjëherë se, megjithëse ishte i joshur, refuzoi interesimin e Barcelonës.
Zërat ishin të vërtetë dhe diskutimet për merkaton ishin të bazuara, edhe pse Lautaro Martinez nuk mendoi kurrë të largohej nga Interi: “Kur vijnë këto oferta dhe këto telefonata, gjithmonë të bën të ndihesh mirë, sepse njëri punon për të qenë në majë. Zërat ishin të vërtetë, por unë i kam idetë shumë të qarta: kam dashur të qëndroj këtu, me shokët e skuadrës dhe me këta tifozë të mrekullueshëm”. Më pas kapiteni zikaltër bën një sqarim për të ardhmen te skuadra e tij: “Unë do të qëndroja përgjithmonë. Për sa kohë të më duan dhe të jem i nevojshëm për këtë skuadër, unë do të qëndroj këtu. Pastaj në futboll e dimë, kur nuk je më i nevojshëm, të largojnë. Por vullneti im është i qartë”.