Për të kuptuar se çfarë ka nënkuptuar vërtet dëmtimi i suedezit Dejan Kulusevski, duhet nisur nga një fjali. Jo nga një diagnozë, jo nga një raport mjekësor, por nga ato fjalë që bashkëshortja Eldina zgjodhi t’ua besonte rrjeteve sociale në ditën kur bashkëshorti i saj u rikthye në stërvitje të plota me Tottenham: “Thoshin se ndoshta nuk do të luaje më kurrë”. Më pas përgjigjja, pothuajse si një sfidë: “Me sa duket nuk e dinë kush je”.
Kanë kaluar 513 ditë nga ndeshja e fundit e suedezit, një përjetësi për një futbollist 26-vjeçar. Megjithatë, numërimi mbrapsht duket se më në fund ka mbërritur në fazën vendimtare. Pas rikthimit në stërvitjet në grup, Kulusevski ka vazhduar të punojë pa u ndalur, duke marrë pjesë edhe në një ndeshje të brendshme 11 kundër 11 gjatë pushimit të kombëtareve. Tottenham mbetet i kujdesshëm, por sinjali është i qartë: rikthimi po afrohet.
513 ditë larg fushës: Tottenham pret njeriun e tij
Një lajm që vjen në ndoshta momentin më delikat për Spurs. Klubi ka kaluar një revolucion gjatë mungesës së numrit 21: trajnerë të ndryshuar, kapitenë të ndryshëm, drejtues të zëvendësuar dhe përpjekje të shumta për të gjetur një lojtar të aftë të garantojë në krahun e djathtë të njëjtin kombinim të forcës, teknikës dhe kreativitetit.
Askush nuk e ka mbushur vërtet atë boshllëk. Për këtë arsye, Kulusevski nuk do të ishte thjesht një lojtar i rikuperuar nga infermieria, por mund të bëhet një simbol: Tottenham ka nevojë për një tronditje dhe rikthimi i një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm mund ta ketë këtë peshë, edhe përpara se suedezi të rifitojë ritmin e ndeshjeve.
Historia e dëmtimit, megjithatë, është shumë më e ndërlikuar nga sa linte të kuptohej episodi i parë. Kundër Crystal Palace dukej si një goditje e thjeshtë në kupën e gjurit. Vlerësimet e mëvonshme evidentuan në fakt një problem serioz në gju, me dëmtime të kërcit dhe nevojën për ndërhyrje kirurgjikale.

Operacione, dhimbje dhe rikthime të problemeve: kalvari i Kulusevski
Që nga ai moment nisi një rrugëtim rraskapitës. Rikthimi i parashikuar fillimisht u shty, më pas u shfaqën dhimbje të reja pikërisht kur puna me topin duhej të shtohej. Në janar, Tottenham u përpoq ta menaxhonte situatën me një cikël injeksionesh. Në mars erdhi një tjetër ndërhyrje, të cilën Kulusevski e cilësoi si “një ndërhyrje të vogël”, për të pastruar artikulacionin.
Shpjegimi më i qartë për delikatesën e problemit erdhi nga mjeku i kombëtares suedeze, Jonas Werner: “Dëmtimet e kërcit, si në rastin e Dejanit, janë problematike. Është e vështirë të trajtohen. Për më tepër, dëmtimi ndodhet në një zonë që i nënshtrohet ngarkesave të mëdha”. Dhe më tej: “Dëmtimi ende nuk është shëruar mjaftueshëm për të përballuar këto ngarkesa”.
Fjalë që ndihmojnë të kuptohet pse Tottenhami zgjodhi rrugën e kujdesit maksimal. Ndërkohë, Kulusevski humbi kombëtaren dhe pa të kalonin pothuajse dy vite nga paraqitja e fundit me Suedinë. Por mbi të gjitha, iu desh të bashkëjetonte me pasigurinë. Pikërisht ky është tema që përsëritet në letrën e bashkëshortes, e cila tregon për një betejë të zhvilluar larg vëmendjes së publikut.
“Është një histori që do t’ua tregoj shumë herë vajzave tona”, shkroi Eldina. “Për mënyrën se si babai i tyre vazhdoi pa asnjë garanci. Për mënyrën se si këmbënguli kur askush nuk e shikonte, kur askush nuk duartrokiste dhe kur askush nuk mund t’i premtonte se do t’ia vlente”. Dhe më tej: “Se babait të tyre i ishte thënë se ndoshta nuk do të luante më kurrë futboll dhe megjithatë ai refuzoi të lejonte që dikush tjetër të shkruante fundin e historisë së tij”.

Beteja më e vështirë: të rikthehej të ishte Kulusevski
Ndoshta kjo është fotografia më e mirë e kalvarit të gjatë të Kulusevskit. Një lojtar që kishte mësuar shumë herët se çfarë do të thoshte të priste dhe të rezistonte. Në moshën 16-vjeçare kishte lënë Suedinë për Italinë, duke u transferuar te Atalanta dhe duke jetuar larg familjes. Edhe atëherë kishte kaluar momente të vështira, mes dëmtimeve dhe problemeve burokratike.
Më pas erdhën Parma, Juventus dhe Tottenham. Rritja, konsakrimi dhe ndeshjet e mëdha. Deri te ai gju që ndaloi papritur gjithçka. Tani pjesa më e vështirë duket se është pas. Rikthimi, megjithatë, duhet të menaxhohet me durim. Tottenham nuk mund të përballojë ta humbasë sërish lojtarin e tij. Dhe Kulusevski, pas 513 ditësh, nuk ka nevojë të dëshmojë se është një kampion: duhet vetëm të rikthehet të ndihet futbollist.
Bashkëshortja, në letrën e saj, e mbylli me një fjali të destinuar të mbetet: “Dhe një ditë, kur jeta do t’i vërë në provë vajzat tona, do t’u tregoj për këto 477 ditë, në mënyrë që të mos harrojnë kurrë se çfarë gjaku rrjedh në venat e tyre”. Tani ato 477 ditë janë bërë 513. Dhe numri i radhës që Kulusevski dëshiron të fshijë është ai i shkruar në kalendar: dita e rikthimit të tij në fushë.