Flash

Goditet organizata kriminale shqiptare në Londër! 10 të arrestuar, sekuestrohen drogë dhe armë

Lapsi.al 24 October 2026

Goditet organizata kriminale shqiptare në Londër! 10 të

Një hetim dyvjeçar i policisë britanike çoi në goditjen e një grupi të dyshuar kriminal shqiptar, që dyshohet se merrej me trafikimin dhe shitjen e drogave të rënda, tregtinë e mallrave të falsifikuara dhe shfrytëzimin e një shtëpie publike në Hounslow.

Një operacion i gjerë i policisë britanike ka çuar në arrestimin e 10 personave dhe sekuestrimin e drogës, armëve dhe pasurive me vlerë të konsiderueshme, në kuadër të një hetimi ndaj një grupi të dyshuar kriminal shqiptar që vepronte në Londrën Perëndimore.

Sipas raportimeve të medias britanike LBC, hetimet zgjatën rreth dy vjet. Autoritetet dyshojnë se grupi ishte i përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e drogave të kategorisë A, tregtimin e produkteve të falsifikuara dhe administrimin e një shtëpie publike në zonën e Hounslow-t.

Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kur forcat e policisë kontrolluan disa adresa në pjesë të ndryshme të Londrës Perëndimore. Gjatë kontrolleve, oficerët gjetën sasi të mëdha të substancave që dyshohet se janë ketaminë dhe kanabis. Sasitë e sekuestruara po analizohen dhe peshohen nga specialistët.

Në një minimarket, policia dhe inspektorët e tregtisë kontrolluan ambientet, përfshirë hapësirat mbi panelet e tavanit, në kërkim të lëndëve narkotike dhe cigareve të falsifikuara. Grila metalike e biznesit u hap me forcë duke përdorur një pajisje prerëse elektrike.

Në një apartament të vogël, ku qëndronin katër gra, u gjetën disa armë të ftohta, mes tyre thika të llojit “zombie”, një kosë e gjatë dhe një sëpatë. Policia kontrolloi gjithashtu banesa dhe një pub, ku u sekuestruan automjete, një orë Rolex dhe sende të tjera luksoze. Vlera e përgjithshme e këtyre pasurive vlerësohet në rreth 200 mijë paund, ndërsa rreth 30 mijë paund para të gatshme u sekuestruan gjatë operacionit.

Një nga kontrollet u zhvillua në banesën e personit që dyshohet se drejtonte grupin. Oficerët e kishin cilësuar atë si “shtëpia miliona paundëshe”.

Policia mbërriti në adresë pak para orës 05:00 të mëngjesit dhe përdori një dash për të hapur derën, e cila ishte përforcuar me shufra çeliku. Efektivët ishin pajisur edhe me mburoja elektrike për t’u mbrojtur nga qentë që mund të ndodheshin brenda.

I dyshuari kryesor nuk u gjet në banesë, por aty u arrestua një grua që besohet të jetë bashkëshortja e tij. Më vonë, një ekip tjetër konfirmoi se burri ishte lokalizuar në një nga adresat e tjera ku po zhvilloheshin kontrolle.

Një tjetër adresë e kontrolluar ishte një objekt që dyshohet se përdorej si shtëpi publike në Hounslow. Sipas hetuesve, brenda ambienteve u gjetën katër gra dhe dy burra, të vendosur në dhoma të vogla.

Kryeinspektori i policisë, Garth Hall, deklaroi për LBC se hetimi nuk ishte përqendruar vetëm te droga, por kishte zbuluar edhe dyshime për vepra të tjera penale, përfshirë shfrytëzimin seksual dhe përdorimin e adresave të personave vulnerabël për ruajtjen e drogës dhe parave.

Sipas tij, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë rolin e secilit person të përfshirë dhe të identifikojnë individët që mund të jenë shfrytëzuar nga grupi.

Ai theksoi se përveç sekuestrimit të lëndëve narkotike, policia ka përgjegjësinë të mbrojë personat vulnerabël dhe të ndërhyjë kur konstatohen vepra penale.

Sipas LBC-së, hetimi nisi nga informacionet e mbledhura prej efektivëve lokalë gjatë kontrolleve dhe ndalimeve në rrugë. Për dy vjet, ekipe të specializuara punuan për të mbledhur prova dhe për të identifikuar personat e dyshuar.

Operacioni përfundoi me një tjetër kontroll në Hounslow, rreth orës 08:30, ku u gjet një qese e madhe transparente me kanabis brenda një çante rrobash, në hyrje të një banese. Hetuesit dyshojnë se lënda narkotike mund të ishte lënë aty gjatë natës nga një person tjetër.

Në total, gjatë operacionit u arrestuan 10 persona. Përveç rreth 30 mijë paundëve para të gatshme dhe disa automjeteve, policia sekuestroi armë të ftohta dhe sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përmasat e plota të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë./ TCH

Të këshilluara

ide

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI