
Protesta e studentëve para Kuvendit, masa të shtuara sigurie dhe barriera metalike Në ditën e dhjetë të protestës së studentëve, të rinjtë kanë paralajmëruar një tjetër tubim, këtë herë përpara Parlamentit, në një kohë kur brenda institucionit pritet të zhvillohet seanca plenare.
Në pritje të protestës, Policia ka marrë masa të shtuara sigurie, duke rrethuar perimetrin përreth Kuvendit me barriera metalike, nga zona pranë Xhamisë së Namazgjasë deri te hyrja e institucionit. Në zonë janë vënë re automjete të shumta policie dhe një numër i shtuar efektivësh, ndërsa në oborrin e Parlamentit është parë të hyjë edhe një automjet zjarrfikës.
Protesta e sotme vjen në vijim të tubimeve të zhvilluara prej dhjetë ditësh nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe pedagogët, në shenjë kundërshtimi ndaj problematikave të ngritura prej tyre.
Ndërkohë, në seancën plenare të sotme parashikohet të diskutohen shtatë projektligje dhe të zhvillohet një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo. Interpelanca lidhet me protestat e studentëve dhe shqetësimet e ngritura për rastet e dhunës policore ndaj protestuesve.