Flash

Rusia dhe talibanët po afrohen gjithnjë e më shumë. Çfarë përfiton secila palë?

Lapsi.al 2026-10-17 11:55:26

Rusia dhe talibanët po afrohen gjithnjë e më shumë.

Ministri i Brendshëm i Rusisë, Vladimir Kolokoltsev, mbërriti këtë javë në Islamabad për vizitën e parë zyrtare të një zyrtari të këtij niveli, përgjegjës për çështjet e brendshme të vendit, duke vënë në pah shqetësimet në rritje të Moskës për sigurinë rajonale në krahun e saj jugor.

Vizita e Kolokoltsevit vjen pak ditë pas një takimi të Konsultimeve të Formatit të Moskës për Afganistanin, ku marrin pjesë edhe Rusia, Kina, India dhe Irani. Në këtë takim, përfaqësuesit pakistanezë dhe ata të talibanëve u përplasën lidhur me akuzat se vendet e tyre mbështesin militantë që mund të kërcënojnë stabilitetin shumë përtej kufijve të tyre.

Deklaratat zyrtare nga Islamabadi dhe Moska kanë theksuar forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por analistët thonë se vizita katërditore e Kolokoltsevit lidhet më shumë me frikën e Rusisë për praninë në rajon të Provincës Khorasan të Shtetit Islamik (IS-K), një degë e grupit Shteti Islamik e njohur për sulme të bujshme, përfshirë shpërthimin në aeroportin e Kabulit më 2021, sulmet me bomba në Kerman të Iranit më 2024, dhe sulmin në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Rusi, po atë vit.

Përballja me Shtetin Islamik

Ndërsa Moska po i thellon marrëdhëniet diplomatike me Kabulin, me shpresën për ta vënë nën kontroll IS-K, një degë e grupit ekstremist Shteti Islamik, autoritetet talibane synojnë të sigurojnë pajisje ushtarake ruse, përfshirë dronë, për të krijuar një kundërpeshë ndaj aleatit të tyre të dikurshëm, Pakistanit.

Qëndrimi gjithnjë e më i hapur i Moskës ndaj talibanëve ka nxitur kritika të gjera ndërkombëtare për kufizimet gjithëpërfshirëse që grupi u ka vendosur të drejtave të grave dhe për trajtimin e ashpër të kundërshtarëve politikë.

“Ngrohja e marrëdhënieve mes Moskës dhe Kabulit nuk përbën një aleancë të re, por një riorganizim rajonal me disa shtresa”, tha Omar Samad, studiues i lartë në Këshillin Atlantik, i cili shërbeu edhe si ambasador i Afganistanit në Kanada dhe Francë nën administratën e mëparshme.

“Rusia siguron një zonë tampon afgane me kosto të ulët, në krahun e cenueshëm të Azisë Qendrore”, tha Samad për Radion Evropa e Lirë. “Një bashkëpunim i tillë mund ta ndihmojë Moskën të frenojë kërcënimet nga Shteti Islamik-Khorasan, dega rajonale e Shtetit Islamik dhe rivalja ideologjike e talibanëve".

Shqetësimi i Rusisë për IS-K u vu në pah në maj nga Aleksandr Bortnikov, kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë së vendit (FSB), i cili paralajmëroi se grupi po rekrutonte shtetas të vendeve të Azisë Qendrore dhe punëtorë migrantë brenda Rusisë.

Në korrik 2025, Rusia u bë vendi i parë që e njohu zyrtarisht qeverinë talibane dhe mbetet i vetmi që ka ndërmarrë një hap të tillë.

Ndryshe nga vitet 1990, kur Rusia furnizonte me armë dhe ndihmonte forcat që luftonin kundër talibanëve, Moska ka pranuar se islamistët militantë janë një realitet politik, duke synuar të mbrojë interesat e saj të sigurisë në Azinë Qendrore, veçanërisht përgjatë kufijve veriorë të Afganistanit.

Marrëveshje bashkëpunimi

Në maj, sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu, dhe ministri i Mbrojtjes i talibanëve, Mohammad Yaqoob, nënshkruan në Moskë një marrëveshje për bashkëpunim ushtarako-teknik. Kushtet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë publike, megjithëse Yaqoob tha se ajo përqendrohej te riparimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve ushtarake të prodhimit rus që ndodhen tashmë në Afganistan.

Në një studim të botuar në revistën Journal of Asian Security and International Affairs më 2025, studiuesit Tatiana Belousova dhe Raghav Sharma argumentuan se afrimi i Moskës me talibanët pasqyronte një rivlerësim pragmatik të interesave të sigurisë së Rusisë, veçanërisht të shqetësimeve për kërcënimin që paraqet IS-K.

Megjithatë, ndërsa lufta kundër terrorizmit është një përparësi kyç për Rusinë, talibanët kërkojnë ndihmë ushtarake për të forcuar mbrojtjen e tyre, veçanërisht kundër sulmeve ajrore pakistaneze.

Pas kthimit nga Moska në fund të majit, Yaqoob tha se Pakistani së shpejti nuk do të guxonte më të sulmonte territorin afgan, ndonëse theksoi gjithashtu se marrëveshja me Rusinë nuk ishte një pakt i mbrojtjes së ndërsjellë.

Forcat pakistaneze dhe ato talibane janë përplasur vazhdimisht përgjatë kufirit të përbashkët, ndërsa tensionet u përshkallëzuan pas sulmeve ajrore pakistaneze ndaj Kabulit dhe zonave të tjera të Afganistanit në tetor 2025. Pakistani kishte kryer më parë sulme brenda territorit afgan, përfshirë në mars dhe dhjetor 2024. Sulme të tjera dhe kundërpërgjigje pasuan edhe gjatë vitit 2026.

Pakistani, i cili i ka mbështetur talibanët afganë për dekada, akuzon Kabulin se strehon Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP), të njohur edhe si talibanët pakistanezë. Ky grup militant islamist ka kryer sulme vdekjeprurëse kundër forcave të sigurisë dhe civilëve në Pakistan. Talibanët afganë mohojnë se e strehojnë grupin.

Për Moskën, megjithatë, lufta kundër terrorizmit mbetet në qendër të angazhimit me Kabulin, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se Rusia po u ofron ndihmë më të drejtpërdrejtë forcave talibane.

Në qershor, duke iu referuar dy burimeve brenda Ministrisë së Mbrojtjes së talibanëve, Afghanistan International raportoi se Rusia po ndihmonte në financimin, trajnimin dhe pajisjen e një njësie të re të forcave speciale talibane, me 8.000 pjesëtarë.

Sipas raportimeve, njësia, e njohur si Njësia Hibati, do të kryente operacione kundër IS-K dhe do të ndihmonte në sigurimin e kufirit të Afganistanit me Pakistanin.

“Moska flet publikisht për një kërcënim të madh terrorist që vjen nga territori afgan, ndërkohë që thellon marrëdhëniet me talibanët”, shkroi analisti gjeopolitik Eldaniz Gusseinov në The Diplomat. “Ky është karakteri i dyfishtë i strategjisë ruse. Narrativa e kërcënimit e përforcon rolin e sigurisë që Moska ia ka caktuar vetes në të gjithë Azinë Qendrore, ndërsa partneriteti me Kabulin i siguron mjetet për ta ushtruar këtë rol”.

Thuhet se talibanët kanë shtuar gjithashtu mbikëqyrjen me dronë në provincën verilindore afgane të Badakhshanit, ku grupet e armatosura të opozitës vazhdojnë të jenë aktive.

Rusia nuk ka bërë të ditur se po furnizon talibanët me teknologji për dronë apo se po i ndihmon në zhvillimin e saj. Megjithatë, më 1 tetor, Afghanistan International raportoi, duke cituar ish-zyrtarë të lartë afganë, se talibanët po kërkonin të siguronin dronë dhe pajisje të tjera ushtarake nga Bjellorusia, aleate e ngushtë e Rusisë, gjoja me mbështetjen financiare të Indisë dhe miratimin e Moskës. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Samad tha se bashkëpunimi në rritje i Rusisë me talibanët kishte shkaktuar shqetësim në Pakistan, ndonëse Irani dhe Kina ndajnë me Moskën interesin për të kufizuar ndikimin ushtarak perëndimor në Afganistan dhe në rajonin më të gjerë.

Për talibanët, përfitimet janë si diplomatike, ashtu edhe ushtarake, megjithëse këto të fundit mbeten të kufizuara në shtrirje.

“Talibanët përfitojnë njohje zyrtare, mbështetje për përpjekjet e tyre kundër terrorizmit dhe narkotikëve, si dhe ndihmë me kosto të ulët për të mbajtur në gjendje pune tanket dhe helikopterët e epokës sovjetike. Kjo u shërben si masë mbrojtëse ndaj sulmeve pakistaneze, por ende nuk përbën një arsenal të ri armësh”, tha Samad./REL

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

91.32

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI