
Arrestime, dorëheqje, ndryshime qëndrimesh dhe hetime për abuzime me pushtetin kanë përfshirë Serbinë pas humbjes së zgjedhjeve nga ish-presidenti Aleksandër Vuçiç, më 25 tetor. Fitorja e lëvizjes studentore në zgjedhjet parlamentare ka shkaktuar një ndryshim të madh të balancave politike në vend, ndërsa institucionet dhe strukturat që më parë ishin nën ndikimin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) po përballen me presion të madh.
Zhvillimet kanë qenë të shpejta, me raportime për arrestime zyrtarësh, hetime për korrupsion dhe përpjekje të dyshuara për zhdukjen e dokumenteve që mund të provojnë shkelje të ndryshme. Associated Press shkruan se lëvizja studentore, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare, ende nuk ka marrë zyrtarisht kontrollin e qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe ushtrisë, por ndryshimi i rezultatit politik ka nisur të reflektohet në shumë struktura shtetërore.
Arrestime të zyrtarëve të lartë dhe hetime për abuzim me detyrën
Mes personave të arrestuar është edhe Marko Kriçak, drejtues i policisë kriminale, i cili dyshohet për shpërdorim detyre në lidhje me hetimet për një vrasje të bujshme. Në pranga ka përfunduar edhe një tjetër zyrtar i lartë i Policisë. Kriçak ishte përmendur më herët edhe për akuza se kishte kërcënuar me përdhunim një studente gjatë protestave kundër qeverisë.
Të hënën, autoritetet arrestuan edhe Davor Macurën, pronarin e bankës private Alta, licenca e së cilës është revokuar. Ai dyshohet se ka tentuar të nxjerrë miliona dollarë nga kasaforta e bankës dhe përballet me akuza për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, fituesit e zgjedhjeve u kanë bërë thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve të përmbushin detyrat e tyre ose të largohen nga funksionet. Në fokus janë edhe hetimet e papërfunduara për korrupsion në nivelet e larta të shtetit, përfshirë tragjedinë e stacionit hekurudhor të 1 nëntorit 2024, e cila shkaktoi protesta studentore që vijuan për afro dy vite.
Vuçiç: Nuk kam frikë nga arrestimi
Pavarësisht humbjes në zgjedhje, Aleksandar Vuçiç ka vijuar daljet e tij të përditshme në mediat pranë tij, duke akuzuar lëvizjen studentore për “terror revolucionar” dhe duke deklaruar se do të vazhdojë të luftojë politikisht.
Gjatë një interviste për televizionin Pink, të dielën në mbrëmje, ai u shpreh se është i përgatitur të përballet me çdo situatë. Vuçiç mohoi përfshirjen në aktivitete kriminale dhe deklaroi se nuk ka frikë nga një arrestim i mundshëm, pasi, sipas tij, nuk ekzistojnë prova kundër tij.
“Unë nuk firmos asgjë dhe asgjë nuk do të gjendet”, deklaroi ai, duke hedhur poshtë akuzat.
Shtohen denoncimet për manipulime dhe presione gjatë zgjedhjeve
Ndërkohë, prokuroria serbe po përballet me një numër në rritje denoncimesh për manipulime të dyshuara zgjedhore, kërcënime dhe dhunë ndaj protestuesve, gazetarëve dhe aktivistëve.
Avokati Ivan Niniç ka denoncuar një skemë të dyshuar kriminale, ku sipas tij, një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë dhe më shumë se 30 punonjës të burgjeve në Serbi kanë ushtruar presion ose kanë paguar të burgosur për të votuar në favor të Vuçiçit. Ai ka paraqitur edhe pamje të bisedave online, ku pretendohet se zyrtarët shkëmbenin informacione për numrin e votave që kishin arritur të siguronin.
Në një tjetër rast, policia ka arrestuar gjashtë persona në Mali Zvornik, pranë kufirit me Bosnjën, të dyshuar për pajisjen me dokumente të rreme qëndrimi të shtetasve boshnjakë, me qëllim votimin në favor të partisë së Vuçiçit.
Mediat ndryshojnë qëndrim, presion edhe ndaj strukturave lokale
Ndryshimet e para janë vënë re edhe në mediat serbe. Disa prej televizioneve dhe mediave që më parë mbështesnin hapur Vuçiçin kanë ndryshuar qëndrim, duke adoptuar një linjë më neutrale. Televizioni shtetëror RTS ka ndryshuar drejtimin dhe u ka kërkuar ndjesë shikuesve për raportimin joprofesional.
Megjithatë, televizione si Informer dhe Pink vijojnë të mbështesin ish-presidentin, duke i dhënë hapësirë të përditshme në programet e tyre. Ndërkohë, partia e Vuçiçit po përballet me kërkesa për largimin e drejtuesve të emëruar prej saj në qytete dhe institucione të ndryshme. Pas humbjes në Beograd dhe në shumicën e qyteteve të tjera, janë shtuar thirrjet për zgjedhje të parakohshme lokale.
Punonjës të teatrove, muzeve, shkollave, spitaleve dhe institucioneve kulturore po kërkojnë largimin e drejtuesve të emëruar nga SNS. Analisti serb Slobodan Stupar e ka përshkruar situatën si fundin e ciklit politik të partisë së Vuçiçit, duke paralajmëruar se ndryshimet mund të përhapen me shpejtësi në të gjithë vendin.