
Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë i dha fund betejës për kontrollin e Aeroportit të Vlorës duke rrëzuar vendimet që kishin kufizuar të drejtat e MABCO-s së Behgjet Pacollit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duket se ka ndryshuar qasje ndaj krizës që ka bllokuar projektin prej muajsh. Nga një pozicion që sipas investitorit karakterizohej nga heshtja dhe mosveprimi, ministri Enea Karakaçi ka kaluar tashmë te gjobat dhe kërcënimet për zgjidhjen e kontratës konçesionare.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi njoftoi se ministria ka vendosur penalitetet e para financiare për vonesat në përfundimin e aeroportit dhe u ka lënë aksionarëve 30 ditë afat për të zgjidhur konfliktin.
“U kam dërguar shkresë dhe u kam kërkuar që mosmarrëveshjet nuk duhet të jenë shkak për bllokimin e aeroportit. U kam lënë afat 30-ditor të zgjidhin mosmarrëveshjen civile që kanë. Çdo ditë apo çdo muaj vonesë ka penalitete. Kemi lëshuar faturat e para të penalitetit për vonesat përkatëse”, deklaroi ministri.

Por ky aktivizim i papritur i ministrisë vjen vetëm pasi Gjykata e Lartë rrëzoi përfundimisht bazën juridike mbi të cilën ortaku minoritar me 2% të aksioneve, 2A Group i Valon Ademit, kishte ushtruar kontrollin e shoqërisë koncesionare për muaj me radhë.
Pikërisht këtë kontradiktë evidenton edhe MABCO në reagimin e saj, duke kujtuar se ministria nuk tregoi të njëjtin shqetësim gjatë periudhës kur investitori që zotëron 98% të aksioneve pretendonte se ishte përjashtuar në mënyrë të paligjshme nga drejtimi i projektit.
Sipas kompanisë, “MIE reagoi vetëm pas shpalljes së vendimit të mbipushtetshëm të Gjykatës së Lartë”, ndërsa për muaj me radhë kishte injoruar dhjetëra njoftime dhe kërkesa zyrtare.
“Është fakt se MIE ka refuzuar të komunikojë me MABCO dhe se mbi 50 shkresa jo vetëm që mbetën pa përgjigje, por nuk u shoqëruan me asnjë veprim konkret për të parandaluar ose korrigjuar paligjshmërinë në zhvillim”, thuhet në deklaratë.
Për MABCO-n, problemi nuk është mungesa e dialogut, por fakti se vendimi i Gjykatës së Lartë ende nuk është reflektuar në terren.
“Siç është në dijeni i gjithë opinioni publik, Mabco dhe nënkontraktorët e saj janë bllokuar të hyjnë në kantier dhe ky bllokim vijon ende, edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe edhe pas deklaratave të Ministrisë”, thuhet në reagim.
Kompania pretendon se para se të flitet për gjoba dhe penalitete, shteti duhet të garantojë zbatimin e vendimit gjyqësor dhe rikthimin e investitorit shumicë në kontrollin efektiv të projektit.
“Ne presim që MIE të mbështesë zhbllokimin e kantierit, të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe të na mbështesë në zhvillimin normal të aktivitetit të shoqërisë VIA, ku ne zotërojmë 98% të aksioneve”, deklaron MABCO.
Deklaratë për Shtyp 03.06.2026
Shoqëria Mabco Constructions S.A. u njoh sot nëpërmjet mediave me një deklaratë të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili përsëriti se ministria ka lënë “një afat 30-ditor që të zgjidhet mosmarrëveshja për aeroportin e Vlorës”. Sipas Mabco, mosmarrëveshja e vetme që ekziston si pengesë për rikthmin e normalitetin në kantierin e aeroportit, është moszbatimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, për të cilin autoritetet përkatëse do të duhej të ishin angazhuar sipas detyrimeve ligjore dhe kontraktuale.
Është fakt se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (“MIE”) reagoi vetëm pas shpalljes së vendimit të mbipushtetshëm të Gjykatës ë Lartë në çështjen nr. 43000-00192-00-2026, datë 26.05.2026, me të cilin u deklaruan të paligjshme vendimet e gjykatave më të ulëta dhe, për pasojë, u rrëzua i gjithë konstruksioni juridik mbi të cilin ortaku që zotëron 2% të kuotave dhe administrator i emëruar prej tij kishin pretenduar të ushtronin kompetenca në shoqëri që prej muajit tetor 2025.
Është fakt se, për MIE-në, ky vendim certifikoi qëndrimin e mbajtur në mënyrë të vazhdueshme nga Mabco Constructions S.A. në mbi 50 shkresa, kërkesa dhe njoftime zyrtare drejtuar Ministrisë.
Është fakt se MIE ka refuzuar të komunikojë me MABCO dhe se mbi 50 shkresa jo vetëm që mbetën pa përgjigje, por nuk u shoqëruan me asnjë veprim konkret për të parandaluar ose korrigjuar paligjshmërinë në zhvillim. Mosveprimi nga ana e MIE-së përbën një “Veprim Material të Pafavorshëm Qeveritar”, sipas nenit 13 të Kontratës së Koncesionit.
MABCO Constructions S.A. është investitori kryesor i huaj në projektin koncesionar të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe, si i tillë, gëzon mbrojtjen e plotë të legjislacionit shqiptar dhe të Marrëveshjes Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës. Deri më sot, Mabco ka investuar mbi 90 milionë euro, ka ekspozuar mbi 150 milionë euro në kolateral dhe ka vënë në dispozicion garanci bankare ne kërkesë të parë në vlerë mbi 70 milionë euro, duke mbajtur peshën kryesore financiare të projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Siç është në dijeni i gjithë opinion publik, Mabco dhe nënkontraktorët e saj janë bllokuar të hyjnë në kantier dhe ky bllokim vijon ende, edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe edhe pas deklaratave të Ministrisë. Ne i kemi kërkuar dhe më parë MIE-së që të angazhohet për zbatimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë, të bëjë të mundur zhbllokimin e kantierit dhe, po ashtu, të ngrejë një grup ad hoc për zgjidhjen e situates dhe rifillimin normal të punimeve.
Ne presim që MIE të mbështesë zhbllokimin e kantierit, të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe të na mbështesë në zhvillimin normal të aktivitetit të shoqërisë VIA, ku ne zotërojmë 98% të aksioneve.
Çdo pretendim ndërmjet aksionarëve lidhur me të drejtën e votes së shoqërisë Mabco është zgjidhur përfundimisht nga vendimi i forms së prerë i Gjykatës së Lartë.
Ne mbetemi të angazhuar për përfundimin e punimeve të Aeroportit të Vlorës sapo të zhbllokohet hyrja në kantier dhe të mundësohet vijimi normal i punës nga Mabco.
Kjo deklaratë nuk përbën heqje dorë nga asnjë pretendim, e drejtë apo mjet juridik që buron nga legjislacioni vendas, Kontrata e Koncesionit, apo legjislacioni ndërkombëtar dhe çdo mekanizëm tjetër ligjor i aplikueshëm.