Flash

"The Guardian": Matematika e urisë që Izraeli aplikoi për zinë e bukës në Gaza

Lapsi.al 31 July 2025
"The Guardian": Matematika e urisë që Izraeli aplikoi

Matematika e urisë është e thjeshtë në Gaza. Palestinezët nuk mund të largohen, lufta i ka dhënë fund bujqësisë dhe Izraeli ka ndaluar peshkimin, kështu që praktikisht çdo kalori që popullsia e saj ha duhet të sillet nga jashtë. Izraeli e di se sa ushqim nevojitet. Ai e ka kalibruar urinë në Gaza për dekada, fillimisht duke llogaritur dërgesat për të ushtruar presion duke shmangur urinë.

“Ideja është t'i vëmë palestinezët në dietë, por jo t'i bëjmë të vdesin nga uria", - tha një këshilltar i lartë i kryeministrit të atëhershëm, Ehud Olmert, në vitin 2006. Një gjykatë izraelite urdhëroi publikimin e dokumenteve që tregonin detajet e atyre analizave makabre dy vjet më vonë.

“Cogat”, agjencia izraelite që ende kontrollon dërgesat e ndihmave në Gaza, llogariti atëherë se palestinezët kishin nevojë për një minimum mesatar prej 2,279 kalorish për person në ditë, të cilat mund të siguroheshin përmes 1.836 kg ushqim.

Sot, organizatat humanitare po kërkojnë një racion minimal edhe më të vogël: 62,000 ton metrikë ushqim të thatë dhe të konservuar për të përmbushur nevojat themelore për 2.1 milionë njerëz çdo muaj, ose rreth 1 kg ushqim për person në ditë.

Teksa në Gaza ka rënë zija e bukës këtë verë, zyrtarët izraelitë kanë mohuar në mënyra të ndryshme ekzistencën e urisë masive, kanë pohuar (pa dhënë prova) se Hamasi vjedh dhe grumbullon ndihma, ose e kanë justifikuar urinë me dështimin e shpërndarjes së OKB-së, duke ndarë fotografi të paletave të ndihmave që presin brenda kufirit.

(Vdekjet ne Gaza)

Ata treguan shpërndarjet vdekjeprurëse dhe kaotike të ushqimit nga Fondacioni Humanitar i Gazës, një startup logjistik i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, si provë se palestinezët kishin qasje në ushqim.

Megjithatë, të dhënat e mbledhura dhe të publikuara nga vetë qeveria e Izraelit e bëjnë të qartë se ajo e lënë Gazën të vuajë nga uria. Midis marsit dhe qershorit, Izraeli lejoi vetëm 56,000 tonë ushqime të hynin në territor sipas të dhënave të “Cogat”, më pak se një e katërta e nevojave minimale të Gazës për atë periudhë.

Edhe nëse çdo qese me miell të OKB-së do të ishte mbledhur dhe shpërndarë, dhe GHF do të kishte zhvilluar sisteme të sigurta për shpërndarje të barabartë, uria do të ishte e pashmangshme. Palestinezët nuk kishin mjaftueshëm për të ngrënë.

Një zi buke e "skenarit më të keq" po zhvillohet tani në Gaza, thanë këtë javë ekspertët e sigurisë ushqimore të OKB. Dërgesat e ushqimit janë "në një shkallë shumë më poshtë se ajo që nevojitet", mes "kufizimeve drastike në hyrjen e furnizimeve", tha Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) në një raport që citon shifrat izraelite mbi ndihmën.

Komiteti i Rishikimit të Urisë, një grup i pavarur ekspertësh që shqyrton alarmet e IPC, tha se dërgesat e ushqimit "kanë qenë shumë të pamjaftueshme". "Analiza jonë e pakove ushqimore të furnizuara tregon se plani i tyre i shpërndarjes do të çonte në uri masive, edhe nëse do të ishte në gjendje të funksiononte pa nivelet e tmerrshme të dhunës që janë raportuar", - tha FRC.

Në mars dhe prill, Gaza ishte nën rrethim total, pa hyrjen e asnjë ushqimi. Në mesin e majit, Netanyahu tha se dërgesat do të rifillonin për shkak të presionit ndërkombëtar për një "krizë urie". Vetëm disa javë dërgesa shtesë ndihmash gjatë armëpushimit në janar dhe shkurt të këtij viti siguruan kalori të mjaftueshme për ta rikthyer Gazën nga pragu i urisë, tregojnë të dhënat e OKB-së.

Megjithatë, në maj vetëm një sasi e vogël ushqimi u lejua, në sasi që shërbyen vetëm për të ngadalësuar rënien e Gazës në uri, jo për ta ndaluar atë. Dy muaj më vonë, shkalla e vuajtjeve ka nxitur një raund tjetër zemërimi ndërkombëtar, duke përfshirë kërkesat e Donald Trump për të siguruar "çdo gram ushqim" për fëmijët e uritur.

Në përgjigje, Netanyahu ka premtuar vetëm ndihmë shtesë "minimale". Numri i kamionëve me ushqim që hyjnë në territor është rritur, por është ende shumë nën minimumin e nevojshëm për të ushqyer palestinezët atje, e lëre më për të ndryshuar gjendjen e urisë.

Dërgesat nga ajri, të përdorura me ndërprerje gjatë gjithë luftës kanë rifilluar me Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Egjiptin, Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe midis vendeve që njoftojnë fluturime edhe pse parashutizmi me ushqim është i shtrenjtë, joefikas dhe herë pas here vdekjeprurës.

Vitin e kaluar të paktën 12 persona u mbytën duke u përpjekur të merrnin ushqimin që kishte rënë në det, dhe të paktën 5 u vranë kur paletat ranë mbi ta. Në 21 muajt e parë të luftës, 104 fluturime furnizuan Gazën me ushqim ekuivalentin e vetëm 4 ditëve, tregojnë të dhënat izraelite, për një kosto që arrin në dhjetëra miliona dollarë. Të shpenzuara për kamionë, i njëjti buxhet do të sillte shumë më tepër ushqim, por çmimi i këtyre fluturimeve nuk është vetëm monetar.

Ato i lejojnë Izraelit dhe aleatëve të tij ta paraqesin urinë si një katastrofë të shkaktuar nga logjistika, jo si një krizë të krijuar nga politika shtetërore. Dërgesat nga ajri zakonisht urdhëroheshin si mjeti i fundit për të ushqyer njerëzit në situata emergjente ku forcat e armatosura armiqësore ose gjeografia e bëjnë të pamundur shpërndarjen e ndihmave në rrugë tokësore.

Në Gaza, pengesat e vetme për të çuar ndihma përtej kufirit janë kufizimet e vendosura nga Izraeli, një aleat i shumë vendeve perëndimore dhe i armatosur me armë britanike dhe amerikane.

Dy grupe të të drejtave të njeriut me bazë në Izrael deklaruan këtë javë se Izraeli po kryente gjenocid në Gaza, me raporte që citonin prova që përfshinin edhe “armëzimin e urisë”. B’tselem përshkroi një “politikë zyrtare dhe të deklaruar hapur” të urisë masive.

(Ndihmat e futura në Gaza)

Qeveria e Izraelit e di se sa ushqim u duhet njerëzve të Gazës për të mbijetuar dhe sa ushqim shkon në territor, dhe në të kaluarën i përdori këto të dhëna për të llogaritur se sa ushqim nevojitej për të shmangur urinë.

Hendeku i madh midis kalorive që i nevojiten Gazës dhe ushqimit që ka hyrë që nga marsi e bën të qartë se zyrtarët izraelitë po bëjnë llogaritje të ndryshme sot. Ata nuk mund t’ia kalojnë përgjegjësinë për këtë uri të shkaktuar nga njeriu askujt tjetër, dhe as aleatët e tyre nuk mund ta bëjnë këtë. ©The Guardian, LAPSI.al

Të këshilluara

Plagoset me thikë një i ri në Shkodër

Një person ka mbetur i plagosur me thikë në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur para pak minutash në zonën e njohur si “Ish Dega”. Pas përplasjes fizik...

19:11

ide

Përçmimi si model qeverisje 

I mësuar me, dhe i rrethuar nga, servilë Rama ka humbur aftësinë të përballet me qytetarët e lirë

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

94.96

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI