Egnatia e ka të qartë se është skuadra potencialisht më e mundshme për të shkuar në raundin e dytë të Conference League. Rrogozhinasit janë të fortë në barazimin 1-1 në transfertë me Ararat Armenia dhe mënyrën e imponimit të lojës atje. Goli i Raphael Dwamena në minutën e 97’ i ka dhënë të tjera kuota kalimit të raundit nga rrogozhinasit. Skuadra e Edlir Tetovës tani pret kundërshtarin në “Elbasan Arena”.
E pikërisht ai gol i minutave shtesë i ganezit e ka përqendruar vëmendjen e klubeve të huaja tek sulmuesi. Në klub kanë mbërritur në fakt jo vetëm ofertat për Dëamena, por edhe për Redi Kasën. Djaloshi është një tjetër goditje e zgjuar e merkatos së sezonit të kaluar nga Egnatia. E pavarësisht shifrave të larta të vendosura në tryezë, presidenti Demrozi ka vënë veton, duke i konsideruar dy lojtarët të pashitshëm. Në fakt, presidenti është i fortë në kontratën që i mban lojtarët mbërthyer me klubin edhe për sy sezone.
Lexo më tej:Video/ Dwamena shënon në minutën e 97': goli i parë europian i Egnatias vlen barazimin në Armeni
Ajo që në fakt i ngatërron disi gjërat është se Egnatia, sipas asaj që filtron nga klubi, po përgatit një blerje të fortë në sulm. Një lojtar që mendohet se do të bëjë diferencën, por që në këtë pikë do të kërkojë hapësirë në një repart ofensiv ku bashkë me dy të kërkuarit e merkatos është edhe Paulauskas. Lituanezin, drejtuesit e klubit rrogozhinas nuk do të donin kurrësesi ta lironin me parametër zero, ndërkohë që pret momentin e tij edhe Isgandarli.
Për nga rëndësia në skuadër Dwamena e Kasa janë vërtetë të pashitshëm, por në merkaton e sotme, dihet, cdokush e ka një çmim.