Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë sot akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Duke komentuar vdekjen e 22-vjeçares nga Kenia, Joy Ayoko, Berisha tha se krỉmỉ mbulohet nga qeveria.
“Nuk po ndalem në zinxhirin e pafund të vendimeve politike gjyqësore. Keni dëgjuar ju për vajzën 22-vjeçare nga Kenia, e dini ju ku fle vrasësi apo jo? Në qeveri, në qeveri. Po, po vrasësi i saj fle në qeveri, mbulohet nga qeveria, mbulohet nga Edi Rama.
E masakruan dhe asnjë hetim, çdo gjë u bë që të prishej çdo hetim. Por turp i madh, ajo kishte ardhur në Shqipëri, nuk ka akt më racist më të ulët. Prishën çdo provë për të mos hetuar njeriun e qeverisë” – tha Berisha që më pas komentoi edhe shpalljen të pafajshëm nga Gjykata e Lartë të asaj që njihet si “Hakmarrja për drejtësi”.
“Hakmarrja për drejtësi” me 17 të vrarë, 28 plaçkitje me armë, thyerje bankash, arkash, drejtësia e re i dha pafajësinë. Edhe 17 lopë po të kishte vrarë një njeri do të kishte marrë një dënim. Kanë marrë 17 vetë dhe janë sot të gjithë për shkak të Edi Ramës dhe janë miq të Edi Ramës dhe të Olsi Ramës.
“Klani Rama” është klani më i rrezikshëm mafioz i Europës. Revolucioni është jetik, jo vetëm për demokratët, për PD, për çdo shqiptar që e do këtë vend. Për çdo shqiptar që do që Shqipëria të jetë një vend normal. Ky grup, kjo organizatë kriminale që drejton sot, urren për vdekje shqiptarët dhe ju garantoj ju jo vetëm demokratët, edhe socialistët e ndershëm dhe ata pa parti. Hajduti urren gjithmonë viktimën e tij. Atë që vjedh edhe e urren dhe urrejtjen e ka si ngushëllim për aktin që ka kryer” – tha Berisha.
Më pas u ndal te protesta e 3 marsit duke ftuar të gjithë të marin pjesë.
“Protesta e 3 marsit? Nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe me Edi Ramën. Nuk ka dhe nuk mund të ketë stabilitet me Edi Ramën. Ata që na thonë se po lëkundet stabiliteti ne u themi se nuk do të ketë kurrë stabilitet pa pasur votën e lirë në Shqipëri” – tha Berisha. ©LAPSI.al