Flash

Vdekshmëria shtesë ulet ndjeshëm në BE në shkurt, në Shqipëri arriti rekord

Lapsi.al 21 April 2021
Vdekshmëria shtesë ulet ndjeshëm në BE në shkurt,

Pasi arriti dy kulme të rëndësishme në pranverë dhe vjeshtë 2020, vdekshmëria e tepërt filloi të binte në dy muajt e parë të 2021 në Bashkimin Europian, raporton Eurostat, në përditësimin e fundit mujor të të dhënave të pasojave që ka dhënë Covid në Europë. Në janar vdekshmëria u rrit me 16% dhe në shkurt me vetëm 5%, krahasuar me mesataret e së njëjtës periudhë në 2016 – 2019.

Sipas Eurostat, gjatë fazës së hershme të COVID-19, vdekshmëria e tepërt në BE arriti kulmin e saj të parë në Prill 2020, me një rritje prej 25% krahasuar me mesataren e të njëjtit muaj mbi 2016 – 2019.

Nga vala e parë më e goditura ishte fillimisht Italia, me rritje të fataliteteve në gati 50% në muaj mars, ndërsa në prill, virusi ishte më vdekjeprurës në Spanjë, me rritje 79.4%, e ndjekur nga Belgjika (74%) dhe Holanda (54%). Pas marrjes së masave kufizuese në gjithë Europën, Europa mori pak frymë. Midis majit dhe korrikut, u regjistrua një nivel më i ulët i vdekshmërisë së tepërt, ndërsa një tjetër rritje e vdekshmërisë filloi në gusht – shtator me valën e dytë të pandemisë.

Vdekshmëria e tepërt në BE ishte 18% në tetor dhe 41% në nëntor, e ndjekur nga 30% në dhjetor, raporton Eurostat. Në valën e dytë, më e goditura ishte Polonia (+97% në nëntor), Bullgaria (94.4%), Sllovenia (90.6%), po në nëntor. Treguesit mbetën të lartë në dhjetor, ndonëse në ulje.

Në janar dhe shkurt 2021, pas karantinave të rrepta që u ndërmorën në shumë shtete, fatalitetet shtesë ranë ndjeshëm në pjesën më të madhe të vendeve, madje disa prej tyre panë edhe rënie (Suedia -5.2%), Norvegjia (-12.9), Austria (-3), Qipro (-8.3%), Belgjika (-9.3%), Gjermania (-2.7%).

Në shkurt pandemia kulmoi në Sllovaki (65.5%), teksa ky shtet kishte arritur ta mbante virusin në fre deri në tetor, dhe në Çeki (+40%), që gjithashtu i ndjeu pasojat nga tetori, si dhe Portugali (+34%). Për të gjitha shtetet e tjera, rritja ishte më e ulët sesa 15% (shiko grafikun interaktiv në fund).

Shqipëria me pasoja shumë më të rënda në rritjen e fataliteteve

Shqipëria, që zbatoi karantinë vetëm në valën e parë të pandemisë dhe më pas në valët e tjera kishte kufizime minimale, e ka kaluar pandeminë, të paktën deri tani, me pasoja shumë të rëndë në humbjen e jetëve.

Që nga muaji maj, vendi ka shënuar një rritje të vdekshmërisë shtesë shumë më të lartë sesa mesatarja europiane, sidomos në nëntor dhe dhjetor, ku humbjet e jetëve u dyfishuan në krahasim me vitet normale (shiko grafikun: Vdekshmëria mujore shtesë, Shqipëria dhe mesatarja e BE).

Vetëm në janar, rritja e fataliteteve në vend ishte në nivele të njëjtat me mesataren e BE-së (+15.9%). Në shkurt, kur gjithë Europa e vuri nën kontroll virusin, Shqipëria, që u përball me variantin britanik me përhapje më të shpejtë, shënoi një kërcim të fortë me 76.2%, më e larta në raport me vendet e BE-së (të dhënat për rajonin nuk janë ende të disponueshme).- shih grafikun: Vdekshmëria mujore shtesë, shkurt 2021.

Na të dhënat shihet se përgjatë 14 muajve të pandemisë, në 5 prej tyre (korrik- gusht- nëntor- dhjetor 2020 dhe shkurt 2020), Shqipëria ka shënuar rritjen më të fortë të fataliteteve, duke pasur dhe numrin më të lartë të valëve më vdekjeprurëse (shih grafikun: Vdekshmëria mujore shtesë, në 14 muaj pandemi Shqipëria kulmoi në 5).

Edhe në mars, fatalitetet në vend vijuan rritjen e lartë, me rritje 108%, sipas të dhënave paraprake nga Gjendja Civile.

Pas marsit, situata në vend është qetësuar ndjeshëm, si në shtrimet në spitale, ashtu dhe në vdekjet e raportuara ditore, teksa valët e forta dhe vdekjeprurëse që kaloi vendi duket se kanë bërë që të shkohet me shpejtësi drejt të ashtuquajturit imuniteti i tufës. Kjo u ndihmua dhe nga fillimi i vaksinimit masiv nga mesi i marsit, që i kanë kaluar mbi 330 mijë doza, ose 11.5 doza për 100 banorë./Monitor

 

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet protesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI