Teksa qeveria dhe ministrja Belinda Balluku i ka quajtur kontrollorët e Albcontroll sabotatorë dhe persona që po tentojnë të bëjnë grusht shteti, ka ardhur një reagim nga përfaqësuesi i tyre. Avokati Rezart Tupi shprehet se kontrollorët e kanë detyrim ligjor që ta deklarojnë në rastet kur ndihen të stresuar në kryerjen e detyrës. Tupi tha se gjendja e stresit ndaj kontrollorëve është krijuar për shkak të pushimit nga puna të dy prej tyre, si dhe për shkak të uljes së pagës në mënyrë drastike që vijon prej marsit të kaluar, me pretekstin e pandemisë, në një kohë kur farë mirë kompania mund të merrte kredi për shlyerjen e detyrimeve të tyre.
"2 prej tyre deklaruan më parë paaftësinë për punë dhe për ta u nisën procedurat për shkarkimin e tyre. Pas kësaj të gjithë patën stres dhe të gjithë së bashku kanë deklaruar të gjithë paaftësinë për punë. Arsyeja kryesore është ndryshimi i procedurave operacionale. Ata kanë të bëjnë me sigurinë ajrore të Republikës së Shqipërisë", tha avokati.
Tupi u shpreh se nuk janë në kushtet e braktisjes së punës. Teksa garantoi vullnetin për zgjidhje, avokati tha se kur quhen sabotatorë të punës u shtohet stresi.
"Ata vijojnë të shkojnë në punë por nuk ushtrojnë funksionin. Një kontrollor i trafikut ajror që është në kushtet e pamundësisë psikologjike për ta bërë punën është i detyruar ligjërisht të njoftojë. Moszbatimi i këtij detyrimi ligjor do të ishte pastaj arsye për heqja nga puna. Kjo nuk është çështje politike. Ne nuk kemi asnjë interes të përfshihemi në politikën e ditës", vijoi ai.