Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas përplasjes në selinë e Frymës së Re Demokratike, ku policia bashkiake kërkon lirimin e godinës nga kjo parti.
I pyetur nga News24 për ngjarjen, Veliaj u shprehe se prona do të merret, ndërsa kjo forcë politike mund të ankimojë vendimin.
Sa i takon ndërhyrjes së Presidentit, Ilir Meta, Kryebashkiaku Veliaj tha se “Kemi të bëjmë me një rast degradimi të rëndë të Presidentit. Meta të shkojë t’i zgjidhë çështjet në gjykatë”
“I kemi çuar shkresa dhe partive të tjera që nuk përfitojnë zyra. Partitë e tjera e kanë respektuar lirimin e ambientit. Sipas ligjit, FRD nuk përfiton zyrë, duhet të lirojë ambientet. Ajo zyrë është pronësi e Bashkisë së Tiranës”, tha Veliaj, i cili shtoi se FRD po abuzon me një 'të çoroditur mendërisht', për Ilir Metën, duke e përdorur si 'të fortin e lagjes' për të mbrojtur selinë.
Burime nga Presidenca bënë me dije se kreu i shtetit ka shkuar ditën e sotme pranë zyrave të FRD pasi është informuar se ndaj kryetarit të saj, Sali Shehu po ushtrohej dhunë fizike nga punonjësit e Policisë Bashkiake.
Siç shihet edhe nga pamjet kreu i shtetit është futur në godinën e FRD-së ndërkohë që fillimisht nuk është lejuar nga efektivët e bashkisë.
[video width="640" height="368" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/03/M4Sysnj98zvq2nWZ8nqp_12_26992f2e9edf4a866959903be114a71a_video_360p_converted.mp4"][/video]
"Po dhunoni partitë e opozitës” është dëgjuar të shprehet kreu i shtetit, ndërkohë që ka kërkuar nga efektivët e policisë së Bashkisë së Tiranës të dalin jashtë godinës.
Në këtë momente disa anëtarë të FRD janë përplasur me policët e bashkisë.
“Dilni përjashta mos hapni probleme! Do ju çoj në burg me duart e mia!”, ka thënë Presidenti Meta