Kryeministri Edi Rama iu përgjigj publikisht kryedemokratit Basha për akuzat e ditëve të fundit se qeveria ka fshehur numrin e viktiameve të Covid.
Ndërsa mohoi çdo gjë, Rama e cilësoi çnjerëzore këtë deklaratë si dhe dënoi rëndë publikimin në disa media të fotove të viktimave Covid nga morgu. Ato Rama i cilësoi montazhe dhe akuzoi opozitën se ka kaluar çdo limit të demokracisë.
"Që të kemi opinion ndryshe kjo është demokraci, por të shash e të shpifësh nuk është lulzim demokracie. Ne nuk mund të ndahemi me numrin e të vdekurve, të bëjmë politikë me inskenime fotosh nga morgu i spitaleve. Kjo nuk është njerëzore, nuk mundet që deri tek Presidenti e opozita të kenë komitete alternative.Është jo njerëzore që të bësh përditë politikë me lajme të rreme deri edhe me të vdekurit. Sot kur kapacitetet po arrijnë në limite të dalësh e t’i thuash popullit që qeveria po fsheh të vdekurit është kapërcim i kufijve të demokracisë, është çnjerëzore. Si mund të arrihet deri këtu? Si ngacmohet deri në këtë pikë psikika e një populli, ngacmohet integriteti njerëzor i një armate të tërë mjekësh që prej 9 muajsh kanë harruar fëmijët e prindërit e tyre për tu përkushtuar te puna. Si shkelet qenia njerëzore e provokohen familjet e viktimave, si futet tmerri tek ata që kanë dikë të prekur me Covid? Si fle gjumë kur nxjerr një makrabitet të tillë nga goja.
Ky nuk është karakteri i këtij vendi, i këtij populli, as se si karakterti i shumicës, por manifestim ekstrem i karakteresh të dobëta që e kanë penguar Shqipërinë dhe popullin shqiptar të marrë frymë lirisht, duke u shfaqur në vendin dhe momentin e gabuar. S’ka më turp se kaq! Në këtë pikë nuk imagjinohet dot se ku mund të shkojë paturpësia ndaj njerëzve e vendit. Viktimat s’mund të fshihen”,- tha Rama.