Këtë të mërkurë, naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditët e tretë të grevës së urisë. Disa prej tyre kanë shfaqur probleme shëndetësore si dhimbje koke, tension teksa shprehen se askush nga kompania apo nga shteti nuk është interesuar për ta. Naftëtarët janë ankuar po ashtu se edhe spitali i Ballshit nuk është interesuar për shëndetin e tyre. Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj u shpreh se naftëtarët kanë filluar të shfaqin shenjat e para të lodhjes për shkak të mosushqyerjes. Ai thotë se shumë prej tyre janë me sëmundje kronike.
Grupi i grevistëve po mbështetet edhe nga punëtorët e stacionit te pompimit të Poçemit, pasi edhe ata kanë paga te prapambetura. Punëtorët e Stacionit të pompimit të Poçemit kanë ardhur për t'i mbështetur, por ende nuk është vendosur nëse edhe ata do të futën në greve urie.