Parlamenti i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit me 82 vota pro mocionit, 32 kundër dhe 1 abstenim. Ky mocion u iniciua nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u përkrah nga të gjitha partitë opozitare dhe minoritetet. Vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër rrëzimit të qeverisë të udhëhequr nga lideri i kësaj partie, Albin Kurti.
Kundër rrëzimit të qeverisë kanë qenë edhe 3 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mes të cilëve kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani si dhe Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala. Me këtë vendim, qeveria “Kurti” bëhet më jetëshkurtra në historinë e Kosovës me vetëm 50 ditë punë.
Debatet maratonë
Seanca filloi rreth orës 11:00 të së mërkurës dhe zgjati për gati 12 orë me disa ndërprerje dhe është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve. Një nga zërat e fortë kundër rrëzimit të qeverisë ishte Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
“Nuk pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më pak në këtë kohë. Zëri i qytetarëve sot nuk është dëgjuar. Jam kundër çdo marrëveshje me PAN-in, dhe nuk e thyej besimin e qytetarëve me asnjë çmim, pra do të votoj kundër mocionit”, - deklaroi ajo.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sulmuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu, të cilin Kurti e shkarkoi pak ditë më parë nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe që u gjet si shkak për mocionin e mosbesimit. Nuk la jashtë shigjetimeve edhe të dërguarin e SHBA për dialogun me Serbinë Richard Grenell.
“Vendimmarrjen në LDK e kanë ata që shkuan ta takojnë Grenellin, por unë nuk mendoj se dikush duhet të shtrihet tek Grenelli. Marrëveshjen sekrete ta publikoj unë? Po a mendoni se po ta kisha do të kisha mbajtur të fshehtë. Marrëveshjen nuk e kam sepse ajo është sekrete. Ama ka marrëveshje. Dhe ajo marrëveshje është motori edhe i asaj seance” - tha Kurti.
Ai tha se përfaqëson interesat e Kosovës dhe se nuk mund të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen Kosovë – Serbi.
“Është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë ku është marrëveshja e gatshme dhe nëse ti nuk je dakord dhe të duhet të dalësh kundër, atëherë dëmtohen marrëveshjen me SHBA-të. Ata nuk mund ta nënshkruajnë marrëveshjen pa më thyer mua njëherë, sepse jam në dy palë zgjedhje njeriu më i votuar. Prandaj nuk është bërë marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë”, - tha Kurti.
Çfarë ndodh më pas?
Qeveria e Albin Kurtit do të jetë ende në detyrë derisa të gjendet një zgjidhje e cila nuk do të jetë e lehtë dhe e shpejtë. Pas miratimit të mocionit, presidenti Thaçi do t’i japë një tjetër mandat Kurtit për ta gjetur sërish votat pas prishjes së marrëveshjes me LDK-në. Nëse Kurti nuk i bën votat brenda 15 diteve qe gje duket e pamundur pasi ai u rrëzua me shumicë dërrmuese, atëherë mandati i takon LDK-së. Një tjetër skenar që përflitet është krijimi i një qeverie të unitetit derisa të kalojë pandemia e koronavirusit dhe më pas vendi do të shkojë sërish në zgjedhje. ©LAPSI.al