Është kallëzuar penalisht ish-kryetarja e Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira.
Kallëzimi ndaj Rirës, e cila vinte nga rradhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), është depozituar nga kryetari aktual i Bashkisë së Prrenjasit, Nuri Belba.
Akuza që rëndon mbi ish-kryebashkiaken është shpërdorimi i detyrës.
“Unë, Nuri Belba në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Prrenjas bazuar në nenin 248 të Kodit Penal, parashtroj këtë kallëzim penal për ish-kryetaren e Bashkisë Prrenjas znj. Miranda Rira, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallëzimi si dhe dispozitat ligjore penale të cënuara”, shkruhet mes të tjerave në dokument.
Në arsyetimin e kallëzimit, Belba shkruan se Rira ka shkelur ligjin në procedurën e ndjekur për prokurorimin e objektit “Ndërtimit të fushës së re të sportit, qytetit Prrenjas”.
