Protesta e djeshme e opozitës së bashkuar nuk kaloi pa përplasje mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit, ndërsa kjo e fundit përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e ‘dhunshëm’ para godinës së Kuvendit.
Por, veprimi i policisë dhe gazi i hedhur për të shpërndarë turmën, është kritikuar ashpër nga qytetarët, ndërsa opozita ka marshuar sot para ministrisë së Brendshme duke dënuar veprimin e forcave të rendit.
Vajza e vogël, e goditur dje në protestë me gaz lotsjellës, është bërë simboli i një proteste të heshtur të disa të rinjve dhe fëmijëve kundër sjelljes së policisë me qytetarët.
Protesta e heshtur e fëmijëve u mbyll para Ministrisë së Brendshme, institucionit përgjegjës për përdorimin e lëndës helmuese kundër protestave qytetare. Fëmijët lanë aty kundragazët për t’i treguar qeverisë se në një vend normal protestuesit paqësorë, gratë dhe fëmijët nuk sulmohen me helme kimike.