Qytetarë në Tiranë protestuan sot para Drejtorisë së Policisë së Tiranës kundër vrasjes së grave. Protestuesit morën shkasë nga dy ngjarjet e rënda, vrasjen e Xhuljeta Çunit dhe nënës së 6 fëmijëve, Adriana Shaholli. Sipas tyre, problem është moszbatimi i urdhrave të mbrojtjes.
“Xhuljeta Çuni kishte bërë 4 denoncime në polici. Por policia nuk mori asnjë masë sepse besoi vrasësin kur u tha se nuk e bëj më”, shprehet Arjola Hajdini, organizatore e protestës.
Ra në sy denoncimi i një prej grave të pranishme. Ajo është një shtetase e huaj që jeton prej disa vitesh në Tiranë, e cila tregoi historinë e saj, ku veç dhunës që ajo përjetoi nga bashkëjetuesi i saj shqiptar, ajo u ngacmua seksualisht nga polici ku bëri denoncimin.
“Ka shkuar në komisariatin numër 2 dhe nuk i është ofruar kurrë një përkthyes. Polici që është marrë me zonjën në fjalë, e ka ngacmuar seksualisht dhe ka vijuar pas denoncimit të saj që të kërkojë puthje”, - tha përkthyesja e saj në protestë.
Protesta nuk ishte organizuar nga shoqatat që mbrojnë të drejtat e grave, edhe marrin fonde për këtë çështje, por nga 3 të rinj studentë, të cilët kanë bërë thirrje nëpërmjet rrjeteve sociale.
