Sot ambasadori amerikan Donald Lu një dite pasi ish ministri dorëzoi mandatin e deputetit, ka bere deklarata te forta lidhur me ata qe i quan peshq te mëdhenj dhe ka përmendur edhe emra.
Në një aktivitet për OJQ shqiptare, Lu tha se kishte besim tek këto organizata se mund te ishin te pavarura dhe te ndikonin ne jetën e shqiptareve.
“Cila është sfida kryesore sot? Do të isha shumë i lumtur nëse shoqëria civile do na bashkohej në thirrjen për arrestimin dhe ndjekjen penale të peshqve të mëdhenj kriminelë.
Shqipëria ka mbështetur kapjen e një peshku të madh, trafikantit të drogës, Met Kanani, që u arrestua në Turqi më 22 mars. Urdhëra arresti janë lëshuar edhe për dy trafikues të tjerë të mëdhenj, Klement Balili dhe Arbër Cekaj, por ata duhet të kapen.
Kryebashkiaku Fran Frrokaj dhe ish-kryebashkiaku Elvis Rroshi po ndiqen penalisht. Hetimet po vazhdojnë ndaj Saimir Tahirit dhe Adriatik Llallës. Asnjë nuk është mbi ligjin. Mirëpresim faktin që Z. Tahiri do të përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm pa imunitet.
OJQ-të dhe gazetarët shqiptarë duhet të punojnë për të ndihmuar publikun të kuptojë pse këta persona janë kaq të rrezikshëm dhe të ngrejnë pritshmëritë se së shpejti do të arrestohen dhe ndiqen penalisht.
Së fundi, nëse mund të nxisim politikanët dhe prokurorët që më në fund të heqin pandëshkueshmërinë ndaj këtyre kriminelëve, atëherë Shqipëria do të ketë një të ardhme shumë të ndritur. Një të ardhme në Bashkimin Evropian. Një të ardhme pa trafik droge. Një të ardhme në të cilën qytetarët e zakonshëm nuk kanë më frikë nga korrupsioni apo krimi i organizuar.
Kjo është e ardhmja që të gjithë shqiptarët meritojnë.”, - tha Lu.