Një ditë pas shfaqjes së saj ku prezantoi për publikun veshjet e reja “The Savage”, stilistja Bora Kokëdhima ka shpërndarë një mesazh në rrjetet sociale ku krahas falenderimeve standarde që jemi mësuar të dëgjojmë në raste të tilla, thumbi në adresë të shtetit, duket se ka tërhequr më shumë vëmendjen. Vajza e ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima shkruan se shteti nuk e ka mbështetur kurrë, jo vetëm atë por asnjë artist shqiptar. Ndonëse në rreshtat e saj nuk e përmend të atin që siç ka treguar e ka pikë të dobët, përmes reagimit kundër qeverisë, Bora Kokëdhima duket se del haptazi në krah të tij, i cili së fundi nuk mbështet më kryeministrin Rama.
Për ndryshe, Bora Kokëdhima falenderon bashkëpunëtorët dhe jep një lajm të rëndësishëm për vazhdimësinë e karrierës së saj si stiliste. “Savage” thotë se është përzgjedhur për të vazhduar studimet në shkollën e famshme të “Ferragamo”-s, sfidë për të cilën duket optimiste.
Lexoni të plotë reagimin e Bora Kokëdhimës:
“I adhuroj ditët me mbidoza mode!! Dje ishte një tjetër ditë nga ato.. Faleminderit publikut që më ndjek dhe mbështet edhe se jam shumë ndryshe. Faleminderit stafit tim që duron orë të gjata pune, pranon sfida të forta në ç'do koleksion dhe i përballon ato me sukses absolut! Faleminderit nënës sime Brixhid që më ka shtyrë me kokëfortësi dhe vendosmëri drejt talentit tim! Falenderoj partnerin tim, Olsin, që duron; jo! Dashuron, gjithë prapakuintën e jetës sime, që emocionohet dhe lufton për mua, që më përkedhel tutje ç'do dhimbje e sakrifice! Faleminderit zonjave dhe zonjushave që më kaneë zgjedhur, do vazhdoj të bëj maksimumin për ju, siç ju bëni maksimumin për mua! Faleminderit miqve të biznesit që mbështesin artin tim me suportin e tyre. "EUROSIG" ka bërë të mundur realizimin e "THE SAVAGE"! Dëshiroj të falenderoj drejtperdrejtë zotin Kadri Morina dhe zonjen e tij sharmante!!! S'kam ç'ti falenderoj këtij shteti që s'na ka mbështetur KURRË, jo neve po asnjë artist shqiptar perveç atisto-politikanëve. Faleminderit medias shqiptare që edhe se ka gabuar disa herë për personin tim, të shumtën e rasteve më ka mbeshtetur pa asnjë interes! Falenderoj fansat e mi që s'kanë pankarta e zhgarravina për të më shprehur mbështetjen e tyre, po kanë taka të larta, komente me mend dhe vend, dhe dashuri për të bukurën! Bora ju do shumë! Sfida ime e rradhes është Polimoda! Do iki në Europë të mar specializime të mëtejshme, të bëhem edhe më e zonja dhe e para designer nga Shqipëria, në pasarelat europiane! Mos më lini vetëm në këtë sfide të re! Ju premtoj, do ia dal edhe këtë herë!"