Ndriçim Mehmeti, i ftuari që u largua në mes të emisionit ‘Wake Up’ në Top Channel, ka reaguar lidhur me debatin që e bëri të linte kufjet e të dilte nga studioja të mërkurën në mëngjes. Mehmeti, profesor dhe ekspert arsimi, shprehet se nuk ishte informuar se biseda do të zhvillohej nga një studio tjetër, dhe se kur kishte nisur të fliste lidhur me kontratat në përfundim të mësuesve shqiptarë, kishin nisur t’i ulërinin në kufje.

Sipas Mehmetit, ai për këtë është detyruar të heqë kufjen e të lërë transmetimin:
‘Jam ftuar në datën 31 maj 2016, nga gazetari Saimir Muzhaku, për të marrë pjesë në emisionin e mëngjesit Wake Up, në datën 1 qershor dhe kam pranuar me kënaqësi. Tema ishte për dhunën ndaj fëmijëve duke ju referuar një denoncimi të “Fiks Fare” dhe pozitën e mësuesit. Më duhet të sqaroj se e kuptova që diçka nuk shkonte kur isha gati për të hyrë në emision, pasi më lanë në një stol përballë një kamera. Këtë vend që rrije në majë të stoli e shikoje vetëm kameran e quanin studio paralele dhe ky fakt nuk më ishte bërë i ditur as prej gazetarit Muzhaku dhe as prej koordinatorit. Gjithsesi vendosa të respektoj deri në fund emisionin dhe isha në pritje të fjalës. Për sqarim unë kam folur vetëm një herë e gjysmë. Fola në pyetjen e parë që mu bë prej moderatorit të emisionit mbi aftësitë e mësuesve dhe trajnimin e tyre. Në ndërhyrjen e dytë, të cilën po e perifrazoj, moderatori i emisionit tha: “Ore këta mësuesit vetëm për rrogën në shkollë apo si”, dhe unë ju përgjigja, “se po të jetë për rrogën, mësuesi nuk e ka të sigurt vendin e punës, pasi më 31 maj 2017, i mbaron kontrata kolektive e punës”.
Kjo mesa duket ka irrituar panelin dhe ndihmësit e tyre dhe në veshin tonë dëgjoheshin vetëm ulërima. Në kushtet kur komunikimi normal ishte i pamundur dhe dhuna ulëritëse ishte në kupë të qiellit, nuk kisha asnjë rrugë tjetër veçse të lija studion e të largohesha, për të mos u bërë pjesë e kësaj maskarade.’ Mehmeti e vendos këtë situatë në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme vendore, dhe thotë se moderatorët janë irrituar për shkak të përmendjes së kontratave kolektive të mësuesve: ‘Edhe koordinatori i emisionit këtë priste mesa duket dhe u fut në studion paralele, ende pa i hequr kufjet dhe më përcolli tek dera.
Kaq “shumë të interesuar” ishin për bisedën moderatorët dhe përtej tyre, sa nuk thanë formalisht në fund të emisionit se falënderojmë edhe Ndriçim Mehmetin. Jam i bindur se përmendja e përfundimit të kontratës kolektive të mësuesve në 31 maj 2017, në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, ka irrituar së tepërmi moderatorët dhe ata që merren me emisionin, por kjo është e vërteta dhe unë jam i vendosur ta them atë sa herë që të më jepet mundësia.’ / Anabel.al