
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë masivin pyjor me pisha në zonën e Caushit, në Njësinë Administrative Gjinar, në Elbasan. Flakët janë riaktivizuar dhe po avancojnë drejt Pashtreshit, duke përfshirë rreth 10 hektarë sipërfaqe pyjore.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është aktivizuar në një terren malor mbi 1400 metra lartësi, ndërsa tymi i dendur është përhapur në zonën përreth. Dyshohet se vatra e parë është shkaktuar nga rrufeja gjatë ditëve të fundit, ndërsa situata është rënduar gjatë orëve të natës, kur flakët kanë kaluar në anën tjetër të malit dhe kanë prekur edhe masivin pyjor të Pashtreshit.
Në terren janë krijuar disa vatra aktive, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e pemëve është dëmtuar nga zjarri. Ndërhyrja po kryhet në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve. Mjetet zjarrfikëse nuk mund të afrohen në disa prej vatrave, ndaj ekipet po ndërhyjnë në këmbë dhe me mjete të përshtatura për terren malor. Në operacion janë angazhuar dhjetëra forca zjarrfikëse, punonjës të Bashkisë Elbasan, shërbimeve publike, banorët e zonës dhe efektivë të ushtrisë.
Ekipet po punojnë për izolimin e vatrave, dhe ndalimin e përhapjes së zjarrit në pjesët e tjera të pyllit. Pavarësisht ndërhyrjes së vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, zjarri ende nuk është izoluar plotësisht. Për shkak të përmasave të tij dhe terrenit ku ndodhen vatrat ka pasur edhe ndërhyrje nga ajri. Operacioni do të vijojë deri në shuarjen e plotë të zjarrit, ndërsa forcat në terren po monitorojnë veçanërisht zonat ku ekziston rreziku i riaktivizimit të flakëve.