
Përshkallëzohet situata në Jemen, teksa rebelët Huthi pretendojnë se kanë sulmuar me raketa dhe dronë objektet e kompanisë saudite të naftës Aramco në Riad. Sipas tyre, sulmet shkaktuan zjarre në disa prej objekteve të goditura, ndërsa autoritetet saudite nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar. Njëkohësisht, kryeqyteti jemenas Sanaa është përfshirë nga një seri bombardimesh.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, janë bërë dhjetëra goditje ajrore në zona të kontrolluara nga Huthitë, ndërsa janë dëgjuar disa shpërthime në pjesë të ndryshme të qytetit. Përplasjet mes Huthive, Arabisë Saudite dhe forcave të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit janë intensifikuar muajt e fundit. Ofensivat kanë rënduar edhe më tej krizën humanitare në vend, ku situata e kequshqyerjes dhe mungesës së ndihmës ushqimore po përkeqësohet.