
Qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës po votojnë këtë të diel në zgjedhjet e përgjithshme, në një klimë të tensionuar politike dhe me kërkesa për ndryshim. Rreth 3.4 milionë votues janë thirrur për të zgjedhur anëtarët e Presidencës trepalëshe, deputetët e Parlamentit qendror dhe përfaqësuesit në institucionet e dy entiteteve të vendit.
Mediat e huaja bëjnë me dije se zgjedhjet zhvillohen në një kohë kur pakënaqësia e qytetarëve lidhet me stagnimin ekonomik, emigrimin e të rinjve, korrupsionin dhe ngecjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Pavarësisht këtyre shqetësimeve, fushata është shoqëruar edhe me retorikë të fortë etnike dhe tensione të trashëguara nga lufta e viteve 1992-1995.
Në qendër të vëmendjes është edhe Milorad Dodik, ish-presidenti i Republika Srpska dhe politikan me qëndrime separatiste e lidhje të afërta me Rusinë. Edhe pse nuk është kandidat në këto zgjedhje, ndikimi i tij mbetet i rëndësishëm në garën politike në entitetin serb të Bosnjës. Rezultati i zgjedhjeve pritet të ketë ndikim edhe në rrugën e Bosnjë-Hercegovinës drejt Bashkimit Evropian, pasi vendi ende nuk ka nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit.