
Trazira dhe përplasje të shumta u shkaktuan ditën e mërkurë në qendër të Selanikut mes protestuesve dhe policisë gjatë protestave kundër një aktiviteti të planifikuar nga ish-deputeti i Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris. Pavarësisht ndalimit të tubimeve publike nga autoritetet, protestuesit antifashistë u përpoqën të marshonin në rrugët e qytetit.
Përplasjet u regjistruan në rrugën Egnatia, pranë statujës së Venizelos, ku protestuesit antiautoritarë u përballën me forcat e policisë. Si pasojë, trafiku u ndërpre në të dyja drejtimet e kësaj rruge, ndërsa u bllokua edhe qarkullimi në rrugën Angelaki, në zonën përreth.
Protestat u organizuan nga grupe të majta, organizata antiautoritare dhe sindikata të lidhura me lëvizjen punëtore të Partisë Komuniste të Greqisë, të cilat kundërshtojnë pjesëmarrjen e Kasidiaris në një aktivitet të planifikuar në një hotel të qytetit.
Kasidiaris ishte anëtar i Agimit të Artë, organizatë neonaziste tashmë e shpërbërë, drejtuesit e së cilës u dënuan për drejtimin e një organizate kriminale.
Për arsye sigurie dhe për të parandaluar trazirat e mundshme, policia kishte ndaluar tubimet publike në pjesën më të madhe të qendrës së Selanikut nga ora 09:00 deri në orën 21:00 të së mërkurës.
Masat prekën edhe transportin publik, pasi autoritetet urdhëruan mbylljen e gjashtë stacioneve të metrosë: Stacioni i Ri Hekurudhor, Dimokratias, Venizelou, Agia Sofia, Sintrivani dhe Universiteti./