
Aktorja e njohur Jennifer Lawrence ka folur hapur për ndërhyrjet estetike që ka kryer dhe ato që dëshiron të bëjë në të ardhmen.
Aktorja e filmit The Hunger Games ka konfirmuar se ka kryer një ndërhyrje estetike në gjoks, ndërsa ka treguar se në të ardhmen do të dëshironte të bënte edhe një lifting të fytyrës.
Këto rrëfime erdhën gjatë një interviste për revistën The Cut, ku aktorja foli për bukurinë, mëmësinë dhe mënyrën se si ka ndryshuar raporti i saj me pamjen e jashtme.
“Dua të jem një mama seksi”, është shprehur Lawrence, duke shpjeguar se dëshiron të duket e kuruar edhe në momentet e zakonshme të përditshmërisë, si për shembull kur shoqëron fëmijët në shkollë.
Aktorja, e cila është e martuar me Cooke Maroney dhe ka dy djem me të, ka folur edhe më parë për ndryshimet që pësoi trupi i saj pas shtatzënive. Në një intervistë të mëparshme, ajo kishte treguar se pas lindjes së fëmijës së dytë, trupi i saj nuk u rikthye në të njëjtën mënyrë si pas shtatzënisë së parë.
Përveç ndërhyrjeve estetike, Lawrence ka ndarë edhe përvojën e saj me trajtimet e flokëve gjatë karrierës në Hollywood. Ngjyrosjet e shpeshta, stilimet dhe përdorimi i mjeteve me nxehtësi kishin dëmtuar flokët e saj, duke e shtyrë të interesohej më shumë për kujdesin ndaj tyre.
Kjo përvojë ka ndikuar edhe në krijimin e markës së saj të re, e zhvilluar në bashkëpunim me sipërmarrësen dhe inxhinieren kimike e biologjike Jasmina Aganovic. Marka prezanton tre produkte për kujdesin dhe stilimin e flokëve, me synimin për ta bërë rutinën e bukurisë më të thjeshtë dhe praktike.