
Drejtoria e Antiterrorit është vënë në ndjekje të qytetarëve që kanë publikuar statuse dhe komente në rrjetet sociale gjatë protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Në një operacion që ngre shqetësime për lirinë e shprehjes, strukturat e specializuara të policisë kanë proceduar penalisht 17 persona, kanë ndaluar një tjetër dhe po kërkojnë të identifikojnë administratorët e tetë llogarive të tjera në internet.
Operacioni shënon një tjetër përshkallëzim të ndërhyrjes policore në kontekstin e protestave që kanë përfshirë vendin që prej 13 tetorit. Tashmë, përveç arrestimeve dhe ndalimeve në rrugë, objekt i hetimeve janë bërë edhe shkrimet, komentet dhe mesazhet që qytetarët publikojnë në Facebook, Instagram dhe platforma të tjera.
Sipas njoftimit zyrtar, Antiterrori, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Kibernetik, ka identifikuar qytetarë që dyshohet se kanë bërë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave. Megjithatë, policia nuk ka publikuar përmbajtjen konkrete të shumicës së statuseve që kanë shërbyer si bazë për procedimet penale.
Mes personave të proceduar është A. K., 34 vjeç, të cilin policia e akuzon se ka bërë thirrje për dhunë në Instagram. Autoritetet pretendojnë gjithashtu se ai ka hapur një llogari në GoFundMe për mbledhje fondesh, duke deklaruar se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit iu sekuestrua edhe një dokument me të cilin prezantohej si gazetar.
Një tjetër qytetar, G. P., 37 vjeç, është proceduar pasi ka publikuar fotografi dhe video të punonjësve të policisë, të shoqëruara me komente fyese dhe akuzuese. Policia pretendon se publikimet kanë cenuar privatësinë dhe sigurinë e efektivëve.
Ndërkohë, një 51-vjeçar nga Shëngjini dyshohet se ka ofruar para për akte dhune ndaj zyrtarëve, ndërsa një 33-vjeçar është ndaluar për një kërcënim të dyshuar me bomba në tri godina private.
Por shqetësimi kryesor lidhet me përfshirjen e Antiterrorit në hetimin e një numri të madh qytetarësh për komunikimet e tyre online, pa bërë publike autoritetet provat që do të mundësonin dallimin mes kritikës politike, thirrjeve për protesta dhe nxitjes së mirëfilltë të dhunës.
Masat janë paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama që ka ashpërsuar retorikën ndaj protestuesve dhe ka paralajmëruar ndryshime ligjore akoma më ndëshkuese për protestuesit. Përdorimi i strukturave të Antiterrorit për të hetuar statuse në rrjetet sociale bëhet edhe për të krijuar një klimë frike për qytetarët që duan të shprehin publikisht kundërshtimin ndaj qeverisë, që tanimë po hetohen nga policia si të ishin vepra terroriste.