
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë u ka bërë thirrje sipërmarrësve në të gjithë vendin që t’i bashkohen protestave që po zhvillohen në vend, duke kërkuar mbylljen e përkohshme të bizneseve gjatë orarit të tubimit të së shtunës.
Në një deklaratë publike, shoqata u drejtohet bizneseve anëtare dhe joanëtare duke i ftuar të solidarizohen me studentët, shoqërinë civile dhe qytetarët që marrin pjesë në protesta. Përfaqësuesit e shoqatës argumentojnë se situata aktuale nuk prek vetëm studentët, por lidhet edhe me të ardhmen e sipërmarrjes, familjeve dhe shoqërisë shqiptare.
Sipas deklaratës, shoqata ka qenë e pranishme edhe më herët në protesta, në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile. Kjo duke ngritur shqetësime për korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe politikat që, kanë ndikuar negativisht te biznesi dhe qytetarët.
Përveç pjesëmarrjes në tubim dhe uljes së qepenave, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u kërkon sipërmarrësve që kanë mundësi të ofrojnë produkte dhe shërbime për protestuesit gjatë zhvillimit të protestës.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë, të dashur sipërmarrës të biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë u bën thirrje të gjithë bizneseve të vogla dhe të mesme, anëtare dhe joanëtare të shoqatës, të vazhdojnë të mbështesin dhe t’u bashkohen protestave që po zhvillohen në Shqipëri.
I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi të solidarizohet dhe të bashkohet me studentët, shoqërinë civile dhe qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në këto protesta.
Kjo nuk është vetëm një çështje e sotme. Është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e bizneseve tona, familjeve tona dhe fëmijëve tanë.
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, në koordinim me shoqërinë civile dhe organizata të tjera, ka qenë vazhdimisht e pranishme në protesta dhe në sheshe, duke ngritur zërin kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe politikave që, sipas vlerësimit tonë, kanë dëmtuar biznesin dhe shoqërinë shqiptare.
Ne besojmë se situata aktuale e biznesit dhe e shoqërisë kërkon reagim qytetar, solidaritet dhe përgjegjshmëri.
Prandaj, edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjitha bizneseve të Shqipërisë që të bashkohen nesër, ditën e shtunë, me studentët dhe qytetarët në protestë.
U bëjmë thirrje bizneseve që kanë mundësi të mbështesin protestuesit me produktet dhe shërbimet e nevojshme gjatë zhvillimit të protestës.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje bizneseve në mbarë vendin që, në oraret e përcaktuara të protestës, të ulin qepenat në shenjë solidariteti me protestuesit shqiptarë.
Ky është një moment i rëndësishëm për biznesin, për qytetarët dhe për të ardhmen e vendit.
Sot kërkohet solidaritet, përgjegjësi dhe zë qytetar.
Bashkë për biznesin.
Bashkë për qytetarët.
Bashkë për të ardhmen e Shqipërisë.
BORDI DREJTUES
SHOQATA E BIZNESIT TË VOGËL DHE TË MESËM TË SHQIPËRISË.