
Pas disa orësh kërkimesh, është gjetur dhe shpëtuar turisti i huaj që kishte humbur orientimin në zonën e fshatit Iliaz, në Bashkinë Himarë.
Operacioni i kërkim-shpëtimit u realizua nga Grupi i Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë, në bashkëpunim me Policinë, pas disa orësh përpjekjesh për lokalizimin e tij.
Pas gjetjes, turistit iu dha ushqim dhe ndihma e nevojshme, ndërsa grupet e shpëtimit u angazhuan për ta nxjerrë nga zona dhe për ta shoqëruar drejt qytetit.
Sipas informacionit paraprak, turisti është në gjendje të mirë shëndetësore. Rasti u bë fillimisht i ditur pas raportimit për humbjen e tij në zonën e Iliazit, ku ekipet e kërkim-shpëtimit nisën menjëherë ndërhyrjen për gjetjen e tij.