Nën ethet e kriminalizimit dhe baltosjes së protestave studentore, Edi Rama ka bërë një gafë që ia rrëzon konspiracionin me forca të errëta që duan ta rrëzojnë nga pushteti. Në mënyrë diletante dhe të papërgjegjshme, ai denoncoi gabimisht njërin prej të rinjve protestues, një 20-vjeçar student të shkëlqyer në mjekësi, si të ishte person me precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Nxjerrja e njerëzve në publik dhe damkosja e tyre si kriminelë e ka gjenezën në kohët e diktaturës, kur në tabelat e fletërrufeve ekspozohej kushdo që devijonte nga vija e partisë dhe morali që i imponohej atëherë shoqërinë. Si praktikë, kjo metodë ëshë prodhim i mendësive autoritare.
Me skërmitje ndër dhëmbë, teksa nxirrte fotot e qytetarëve në televizion, Rama e përfshiu Joni Sinoymerin në listën e personave që pretendonte se nuk kishin lidhje me universitetin, por që kishin dalë në protestë si kriminelë: “Vazhdojmë me J.S: 20 vjeç, por jo student, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar” tha Rama.

Por ndërkohë, studenti Joni Sinoymeri ishte në bulevard duke protestuar me miq dhe pedagogë, kur pa fotografinë e tij në paradën e turpit që po shfaqte Edi Rama nga zyra. Menjëherë ai nxitoi të dilte përpara kamerave për të përgënjeshtruar kryeministrin.
“Jam student i fakultetit të mjekësisë. Nuk kam asnjë lloj turpi, nuk ka asnjë lloj legjendash me mbret që shpik ky. Gjithashtu meqënëse donte të na cënonte, na ka quajtur organizata ANTIFA, neokomunista, dua të tregoj të gjitha notat që kam marrë me mesatare 10. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra”, deklaroi ai, duke treguar rezultatet e tij akademike.
Më pas, i riu sfidoi publikisht akuzat e kryeministrit: “Këto janë shpifje, nuk e di ku i kanë gjetur këtë informacion, të më thonë mua se qenkam me precendentë penalë, që ta di edhe unë. Kam qenë të martën e kaluar i shoqëruar në polici, sepse dola në protestë në mënyrë paqësore, më mbajtën 7 orë”.
Sinoymeri pati mundësinë të mbrohej nga balta e kryeministrit sepse ishte në protestë i rrethuar nga gazetarët dhe nga kamerat, por personat e tjerë, të prezantuar si kriminelë, të lidhur me Iranin, organizatat ANTIFA apo krimin e organizuar, nuk patën të njëjtën mundësi për t’iu përgjigjur akuzave.
Komploti me eksploziv, antifa, Irani, krimi i organizuar etj
Siç bën rëndom këto ditë, kryeministri foli edhe sot për komplotin e madh ndërkombëtar që i kanë ngritur për ta larguar nga pushteti.
Ai shkoi deri aty sa t’u kërkonte shqiptarëve të dallonin kriminelët nga fytyrat e tyre, kur u shpreh: “Mjaftojnë çehret që pavarësisht fshehjes së identitetit mund të lexohen si përfaqësi e një bote të zymtë, të errët dhe të jashtëligjshme”.
Prej ditësh tashmë Rama e ka humbur vijën logjike me të cilën u flet protestuesve. Para se t’i quante kriminelë dhe të dërguar të Iranit, ai kërkoi dialog me ta. Doli vetë në trotuarin jashtë kryeministrisë dhe vendosi aty disa karrige.
Kur studentët nuk u tërhoqën nga kërkesa e tyre për dorëheqje, kryeministri iu rikthye variantit të lidhjeve me krimin e organizuar dhe shtetet armike.
Po ta marrësh seriozisht atë që thotë Rama, duket se ndaj tij është organizuar komploti më i madh ndërkombëtar që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Një aleancë e paprecedentë është krijuar, ku janë bashkuar neokomunistët e Antifës, kapitalistët e krimit të organizuar, agjentët e huaj të Iranit, agjentët e Rusisë, opozita, pedagogët, televizionet, ekstremistët fetarë dhe disa adoleshentë të periferive.
Të gjithë këta, që në rrethana normale nuk do të uleshin as në të njëjtën tavolinë, paskan gjetur më në fund një kauzë të përbashkët: rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Neokomunistët që bashkëpunojnë me trafikantët e drogës, armiqtë e Shqipërisë me forcat që duan të destabilizojnë Europën, pedagogët drejtojnë operacionet në terren, ndërsa gjimnazistët furnizojnë frontin me gurë. Një operacion kaq i sofistikuar sa CIA, Mossadi dhe shërbimet europiane do ta kishin zili, por që fatmirësisht u zbulua dhe po luftohet ashpër nga kryeministri ynë.
Ditët e fundit për t’i dhënë filmit pak atmosferë aksion, u përhap edhe lajmi për një dron me eksplozivë që paskësh synuar Kryeministrinë. Sigurisht që lajme ekskluzive si këto me shpërthime me eksplozivë kalojnë gjithmonë më parë tek mediat pranë qeverisë. Aq sa duket se pas arrestimit të Vlora Hysenit, janë mediat e qeverisë që kanë marrë nën kontroll sigurinë kombëtare.
Vetë Rama foli sot për të dhënat që ka qeveria për eksplozivë të futur përmes doganave.
Me ritme të tilla, nuk është çudi të dëgjojmë shumë shpejt për afrimin e nëndetëseve ruse, për ndonjë celulë të Al-Kaedës mes studentëve dhe ndonjë satelit iranian që komandon protestuesit nga hapësira. Për të gjitha këto akuza, kryeministri nuk ka pse paraqet publikisht prova konkrete. Kjo është hollësi e parëndësishme. Mjafton një ndërhyrje në Photoshop dhe çdo protestues është një agjent i mundshëm i krimit, si në rastin e Joni Sinoymerit./Lapsi.al