
"Kushdo mund të kërkojë dorëheqjen time. Kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë përmes dhunës," deklaroi Kryeministri shqiptar Eri Rama në një intervistë për gazetën greke "Kathimerini".
Rama shpreh vendosmërinë e tij për të qëndruar në krye të vendit, pavarësisht protestave të dhunshme që kanë ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit.
Ai thotë se ka një dallim mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe individëve me kapuçë – disa prej të cilëve, sipas tij, janë të lidhur me lëvizjen "Antifa".
“Një pakicë beson se t'i vësh flakën vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit" - thotë Rama.
Si u përgjigjet kërkesave të protestuesve për arsim më të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe uljen e kostos së jetesës
Rama: Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është e përsosur. Nuk besoj se të rinjtë duhet thjesht të pranojnë atë që kemi arritur deri më sot. Shqetësimet e tyre lidhur me arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të drejta dhe kërkojnë përgjigje thelbësore. Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Njëkohësisht, i kam ftuar studentët dhe pedagogët të përfshihen në një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz – madje edhe ato që vijnë nga individë që janë kritikët tanë më të ashpër.
Megjithatë, ekziston një vijë e qartë ndarëse midis studentëve që dëshirojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të individëve me kapuç – disa prej të cilëve i kam lidhur me lëvizjen "Antifa" – të cilët hedhin kokteje molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe shkaktojnë dëme në pronën private. Luftimi i korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve gjyqësore; nuk është punë e atyre që përdorin dhunën si mjet për të pretenduar se përfaqësojnë një brez të tërë.
A keni ndërmend të jepni dorëheqjen?
Rama: Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve, jo përmes koktejeve molotov. Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë kam ndërmend ta përmbush atë. Kushdo është i lirë të kërkojë dorëheqjen time – kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me forcë. Është detyra ime të dëgjoj ankesat legjitime, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nuk do të heq dorë nga kjo detyrë vetëm sepse një pakicë beson se vënia e vendit në flakë është rruga më e shkurtër drejt pushtetit.
©Përgatiti në shqip LAPSI.al