
Biznesmeni Behgjet Pacolli u paraqit këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku dëshmoi për rreth shtatë orë lidhur me konfliktin për pronësinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Pas daljes nga SPAK, Pacolli deklaroi se u kishte paraqitur prokurorëve fakte dhe dokumente mbi ndërhyrjet që ai i cilëson të paligjshme në strukturën e pronësisë së kompanisë koncesionare, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private.
"Jam i kënaqur që mundëm të sjellim përpara organit kompetent të vërtetën e plotë mbi ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private" shkruan Pacolli pas daljes nga SPAK.
Dëshmia e tij vjen pas kallëzimit penal të kompanisë MABCO lidhur me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit të transferimit të 47% të kuotave të shoqërisë koncesionare në favor të 2A Group, një veprim që investitori zviceran e konsideron të paligjshëm. Pacolli shprehu besimin se SPAK do të veprojë në mënyrë të pavarur për zbardhjen e çështjes, pas disa denoncimeve që avokatët e tij kanë adresuar në prokurorinë speciale.
Dëshmija dhe denoncimet e mija ne SPAK!
Sot pata mundësinë të paraqitesha për rreth 7 orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku paraqita në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
E vlerësoj këtë mundësi dhe jam i kënaqur që mundëm të sjellim përpara organit kompetent të vërtetën e plotë mbi ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private.
Nuk e kam humbur shpresën se në Shqipëri po bëhet drejtësi. Besoj se institucionet e drejtësisë do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe do të garantojnë respektimin e ligjit.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me SPAK dhe me çdo institucion kompetent, deri në sqarimin e plotë të së vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtave tona ligjore.
Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave duhet të respektohen.
Behgjet Pacolli