
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që humbi syrin nga një plumb gome i policisë gjatë protestës së 24 tetorit, ndodhet në spitalin Gemelli të Romës, ku po merr trajtim të specializuar. E ndërsa kryeministri Edi Rama mburret se u kujdes personalisht për transportimin drejt Italisë, në mënyrë cinike ai ka konfirmuar një nga arsyet që kanë nxjerrë të rinjtë si Erjoni në protesta: mungesën e shërbimeve shëndetësore dhe vështirësitë për të siguruar trajtimin e nevojshëm në Shqipëri.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës regjistroi këtë të hënë procedimin e parë penal për dhunën policore që nga nisja e protestave të studentëve në 13 tetor. Hetimi për plagosjen e Vishkullit nisi për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve arbitrare. Prokurorët administruan pamjet e kamerave të Bankës së Shqipërisë për të identifikuar efektivin që qëlloi 28-vjeçarin, ndërsa po përgatitet një letërporosi për autoritetet italiane, ku pritet të dërgohet plumbi i gomës nga syri i të plagosurit. Në hetim janë përfshirë edhe rreth 20 kartela mjekësore të protestuesve të tjerë të dëmtuar.
Por identifikimi dhe ndëshkimi i policit që shkrehu këmbëzën është vetëm një pjesë e përgjegjësisë. Njësoj duhet të përgjigjen edhe efektivët që kanë goditur qytetarë të neutralizuar apo kanë përdorur forcë joproporcionale. Mbetet për t'u parë nëse hetimi do të ndalet te autorët e drejtpërdrejtë, apo do të ngjitet në zinxhirin komandues që drejtoi ndërhyrjet policore.
Problemet brenda policisë duket se janë kuptuar edhe nga vetë drejtuesit e saj. Një shkresë e klasifikuar “Tepër urgjente”, e firmosur nga zv.drejtori për Sigurinë Publike, Edmond Meshini, u shpërnda në shtatë komisariatet e Tiranës dhe në Komisariatin e Krujës pak ditë më parë. Dokumenti kërkon identifikimin e efektivëve dhe automjeteve të angazhuara, ruajtjen e pamjeve të kamerave në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit, si dhe respektimin e garancive ligjore për të miturit. Udhëzimet për dokumentimin e ndërhyrjeve dhe trajtimin e të ndaluarve marrin rëndësi të veçantë pas denoncimeve për dhunë, policë të paidentifikueshëm dhe shkelje të të drejtave të protestuesve.
Në një kallëzim në SPAK, Qendra Res Publica dhe organizata të tjera kërkuan hetimin e mbi 180 episodeve të dyshuara të paligjshme, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për veprime individuale apo një praktikë të organizuar, të urdhëruar ose të toleruar nga drejtuesit.
Por përgjegjësia nuk mund të shqyrtohet e shkëputur nga klima politike që shoqëroi ndërhyrjet. Dhuna policore mori hov pas takimit që pati kryeministri Rama me drejtuesit e policisë, aty ku dha një mesazh që e nxiste presionin dhe brutalitetin drejt protestuesve: “Çdokush që është në një manifestim të dhunshëm është objekt i policisë së shtetit”, duke shtuar se edhe protestuesi që nuk ushtron dhunë është “po aq shënjestër e policit sa dhe ai tjetri”.
Logjika e Ramës bie ndesh me parimin se përdorimi i forcës duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i lidhur me sjelljen konkrete të individit. Prania në një protestë nuk e bën automatikisht qytetarin objekt legjitim të dhunës policore.
Por ndërsa u fliste policëve që do të nxirrtë pastaj në rrugë, Rama e ashpërsoi gjuhën duke i paraqitur protestuesit si armiq të vendit. I përshkroi aia si të manipuluar nga ANTIFA, Rusia dhe Irani, ndërsa policëve u premtoi nga 2500 euro për qëndresën në atë që e quajti “front”. “Unë jam me ju deri në fund”, u tha Rama policëve në takim, duke i dhënë mbështetje politike një institucioni, ndaj të cilit po shtoheshin denoncimet për dhunë ndërsa media kishte provuar tashmë terrorin e vazhdueshëm në protesta.
Kuptohet se kryeministri nuk ishte aty personalisht, për t'i pëshpëritur në vesh policit urdhërin për plagosjen e Vishkullit, por përgjegjësia e tij për përshkallëzimin e dhunës së policisë është direkte, po aq sa direkt është ndikimi i policisë nga mesazhet që jepen nga maja e pushtetit, për sjelljen që ato inkurajojnë. Kur protestuesit paraqiten si armiq të huaj, rusë apo iranianë, ndërsa policia si forcë që mbron pushtetin nga kërcënimi i tyre, kufiri mes zbatimit të ligjit dhe represionit politik bëhet gjithnjë e më gri.
Prandaj derisa hetimi do të mjaftohet me identifikimin e policit që qëlloi Vishkullin, por nuk do të arrijë të zbardhë urdhrat, përgjegjësitë komanduese dhe tolerimin e mundshëm të dhunës, ajo do të mbetet gjysmake. Polici që shkrehu këmbëzën mund të gjendet sot në ndonjë komisariat, por përgjegjësia për klimën që e ktheu Erion Vishkullin në shënjestër duhet kërkuar në zyrën e kryeministrit./Lapsi.al


